Pronari i ENEA Resort reagon ndaj akuzave: Projekti nuk preket zonën e mbrojtur të Butrintit

E publikuar: 07/06/2025 18:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lulzim Behxheti, pronar i ENEA Resort dhe përfaqësues i kompanisë BVG Housing me seli në Helsinki, ka reaguar ndaj disa akuzave të publikuara në media lidhur me ndërtimin e resortit të tij në jug të Shqipërisë.

Në deklaratën e tij, Behxheti thekson se projekti nuk preket as zonën e mbrojtur të Parkut të Butrintit, e as peizazhin natyror përreth. “Projekti ynë ndodhet 7 kilometra larg Butrintit dhe është planifikuar të ndërtohet në Majën e Milës, një zonë që nuk është e mbrojtur. Kemi konfirmime zyrtare për këtë,” u shpreh ai.

Sipas Behxhetit, kompania BVG Housing, e specializuar në ndërtimet drurore me teknologjinë CLT (Cross-Laminated Timber), operon prej 30 vitesh në Finlandë dhe ka sjellë në Shqipëri një projekt unik në llojin e vet: “Ky do të jetë resorti i parë ekologjik në Evropë, i ndërtuar tërësisht me sistemin ndërtimor finlandez dhe i certifikuar me LEED Platinum dhe EU ETS.”

Ai theksoi gjithashtu se prona është private dhe nuk është kërkuar asnjë përfitim nga shteti shqiptar. Me një investim prej 60 milionë eurosh, projekti synon të tërheqë turizëm elitar në rajon.

“Shpresojmë se ky investim do të shërbejë si model i zhvillimit të qëndrueshëm dhe do të ndihmojë në ngritjen e imazhit turistik të zonës,” përfundoi Behxheti.