Cakolli: Diskutimet për Presidentin ishin parapërgatitje për zgjedhje të parakohshme

E publikuar: 20/04/2026 23:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Menaxheri i programeve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka thënë se e gjithë periudha e fundit e “diskutimeve” për çështjen e Presidentit ka qenë, sipas tij, vetëm parapërgatitje për fushatën e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Sipas Cakollit, më shumë sesa vet zgjedhja e Presidentit, synimi ka qenë “arkivimi i refuzimeve dhe arsyetimit publik të dështimit”, të cilat, siç thotë ai, “filluam t’i shohim sot” dhe që pritet të intensifikohen “ditët dhe javët në vijim”.

Ai ka ngritur edhe pikëpyetje lidhur me numrat e votave, duke thënë se më herët ishte përmendur një prag prej 84-85 deputetësh për çështjen e Presidentit, ndërsa tani – edhe pas asaj që ai e quan “ofertë (plus) për çerekun e qeverisë” – prapë po flitet për një maksimum prej 80-81 votash, që sipas tij “janë tepër diskutabile”.

Cakolli po ashtu ka kritikuar faktin se, sipas tij, në “negocim” u ofrua lehtësisht një pozitë “për të cilën vendi u mbajt në krizë (kinse) për gati një vit”.