Prokuroria Speciale e Kosovës është deklaruar për bastisjen e së martës në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Prokuroria Speciale e Kosovës për Ekonomia Online ka konfirmuar se gjatë mëngjesit të sotëm në Ministrinë e Mjedisit janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë a detyrimeve financiare.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në MMPHI. Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga neni 414 i KPK-së, shpëlarjes së parasë nga neni 302 i KPK-së dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 430, paragrafi 2 i KPK-së”.
Tutje, Prokuroria ka thënë se pas përfundimit të aksionit do të ketë njoftim.