Prokuroria në pritje të autopsisë së policit Dashi për të parë shkaqet e vdekjes

E publikuar: 04/05/2018 13:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore e Ferizajt po pret raportin e mjekësisë ligjore, për të parë nëse në trupin e pa jetë të policit Malësor Dashi ka pasur shenja dhune. Polici nga Kaçaniku u gjet i vdekur të enjten në ujërat e lumit Lepenc, 5 ditë pasi u zhdukë bashkë me kolegun e tij Armend Trena, që ende nuk është gjetur. Dashi dhe Trena dyshohet se ranë në lumin Lepenc të shtunën e kaluar, si pasojë e një vetaksidenti.
Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari të premten tha se nuk kanë marrë ende të gjeturat e autopsisë. Ai tregoi se pasi të marrë raportin, atëherë do të mund të dihen detaje tjera rreth policit të vdekur në lum.

“Nuk ka ende asgjë zyrtare, po e presim raportin e autopsisë nga Instituti”, tha ai për Gazeta Express.

Sipas tij, Prokuroria është në pritje edhe të ekzaminimit të veturës me të cilën dyshohet se ranë në lumë dy policët e zhdukur fundjavën e shkuar, për të parë shkaqet e vërteta që kanë mund të çojnë në daljen nga rruga me veturë policore të Malësor Dashit dhe Armend Trenes.

“Nuk kemi marrë ende raport as për ekzaminimin e veturës. Nuk di as kur do të publikohet raporti, po presim nga Instituti”, deklaroi kryeprokurori Jashari.

Ndërkohë, të premten po vazhdojnë në ujërat e lumit Lepenc kërkimet për Armend Trenen. /GazetaExpress/.