Presidenti Ivanov refuzon përsëri të japë mandatin

E publikuar: 10/05/2017 16:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov edhe më tej mbetet në qëndrimin e tij dhe nuk i jep mandatin për formimin e qeverisë së re, kreut të LSDM-së Zoran Zaev. Nga kabineti i Presidneti njoftojnë se Ivanov nga lideri socialdemokrat Zoran Zaev që të përmbush fjalën e dhënë sa i përket karakterit unitar të shtetit. Ndërkohë që thekson edhe njëherë se mandatar nuk mund të jetë asnjë parti që është e shantazhuar në formimin e kabinetit të ri qeveritar.

Presidenti Ivanov mbetet në qëndrimin se e ashtuquajtura platforma e Tiranës, as ndonjë dokument apo akt tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, nuk mund të jetë kusht, as baza për formimin dhe funksionimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Presidenti i Maqedonisë në aspektin e dhënies së mandatit, do të veprojë në bazë të Kushtetutës dhe praktikës të deritashme – thuhet në kumtesën e Presidencës.

Ndërkohë kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se është vendosur komunikim pozitiv mes dy kabineteve, dhe se ka sinjale pozitive se Ivanov do të reflektoj dhe mbase do të jep mandatin para skadimit të afatit dhjetë-ditorë. Në rast se Ivanov mohon atëherë, sipas Xhaferit, shtëpia ligjvënëse ka kompetenca për të vendosur se çfarë më tej.

Unë kam indicie që do të reflektojë dhe për këtë arsye mendoj se do të reflekton dhe nuk do të stërzgjat mandatin deri në ditën e fundit, afatin 10 ditorë. Por mbi të gjitha ajo përsëri është e drejtë e tij kushtetuese dhe nuk ka pse ne të ngushtohemi me atë punë se edhe nëse shkon në afatin e fundit. Mbi të gjitha ne kemi pretenduar të respektohen normat e përcaktuara ligjore me Kushtetutë dhe nuk besoj se do të jetë problem për shumicën parlamentare nëse shkon edhe në ditën e fundit – deklaroi kryetar i Parlamentit Talat Xhaferi.

Refuzimi i dhënies së mandatit, nga VMRO – DPMNE-ja konsiderohet mbrojtje e interesave shtetërore nga ana e kryetarit të shtetit. Sipas deputetit të kësaj partie, Zoran Iliovski, çdo funksionar i votuar nga populli duhet të reagojë ashtu siç ka reaguar edhe Ivanovi.

Ne si parti politike presim që çdo funksionarë i zgjedhur në Maqedoni të ndërmerr hapa në përputhshmëri me Ligjet e Maqedonisë dhe mbi të gjitha t’i mbrojë interesat kombëtare të Maqedonisë – deklaroi Zoran Iliovski , VMRO – DPMNE, transmeton alsat.

Ndryshe prej ditës së djeshme, pas publikimit të vendimit për shpalljen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit në gazetën zyrtare ka filluar të rrjedh afati dhjetë ditor për dhënien e mandatit nga ana e presidentit të shtetit.