Policia shqiptare arreston tre personat që sulmuan ushtarët

E publikuar: 20/08/2022 23:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Shqipërisë ka dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja në Uzinën Ushtarake në Gramsh ku u sulmuan me sprej neuroparalizues dy ushtarë që ruanin uzinën.

Sipas policisë, dy ushtarakët kanë vërejtur një të dyshuar me aparat i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake dhe me tu afruar ata janë sulmuar nga rusi M.Z., 24 vjeç.

“Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme”.

“Gjithashtu, shërbimet e Policisë nga veprimet paraprake hetimore kanë marrë informacion se ky shtetas ishte shoqëruar edhe nga dy shtetas të tjerë dhe menjëherë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë kontrolluar zonën”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, në njoftim bëhet e ditur se pas rusit M.Z, janë ndaluar edhe një shtetase ruse S.T. 33 vjeçe dhe një shtetas ukrainas F.A.m 25 vjeç, të cilët sipas policisë, janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj”

“Për këtë ngjarja janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura”, thuhet në njoftim, përcjell Klankosova.tv.

Të dy ushtarët të cilët janë plagosur pas ndihmës së parë janë transportuar për Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhën nën kujdesin e mjekëve të cilët bëhet e ditur se janë jashtë rrezikut për jetë.