Policia operacion me autoritetet e Zvicrës, ngrihen prona dhe llogari bankare të disa personave në Kosovë

E publikuar: 15/09/2021 12:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në funksion të bashkëpunimit ndërkombëtar për zbatimin e ligjit më datë 14.09.2021 ka zhvilluar një operacion të bastisjeve në katër lokacione, tri në regjionin e Gjakovës dhe një në Prishtinë.

Operacioni është zhvilluar me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë/Departamenti Special, pas kërkesës së pranuar nga autoritete policore të shtetit të Zvicrës, në bashkëveprim me një ekip hetuesish dhe një prokuror nga Shteti i Zvicrës, nëpërmes ndihmës juridike ndërkombëtare.

Në rajonin e Gjakovës janë bastisur dy shtëpi me objekte përcjellëse dhe një zyre projektuese, ndërsa në Prishtinë është bastisur një banesë. Gjatë bastisjes është arritur të sekuestrohen dokumente të ndryshme si: kontrata, fatura dhe dokumentacione tjera përcjellëse.

Në këtë rast është sekuestruar edhe një veturë e tipit Merecedes me targa vendore pronë e të dyshuarit H.B. (1957)

Gjykata kompetente në lidhje me rastin ka shqiptuar masën për parandalimin e shitjes së pronave dy shtëpive dhe një banesë dhe ngrirjen e llogarive bankare të të dyshuarave.

Dy persona H.B. dhe A.B. janë të dyshuar për veprat penale pastrim i parave, mashtrim dhe falsifikimi i dokumenteve bazuar në legjislacion penal të shtetit të Zvicrës dhe rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.