Polici drekon me Kryeshefin e Inspektoratit derisa po hetohet për montim të tentim vrasjes

E publikuar: 25/09/2017 14:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati Policisë i Kosovës, para një viti ka ngritur një kallëzim penal ndaj 5 personave, përfshirë edhe dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës të dyshuar për montim të provave në një rast. Megjithëkëtë, shefi i IPK’së së fundi është parë duke u shoqëruar më policin të cilin institucioni që ai e drejton ka ngritur dyshime se është i përfshirë në detyrimin e një personi për të pranuar fajësinë për krimin që se kishte kryer.

Në një prej restoranteve më të njohura në vend, javë më parë, është shtruar një drekë jo fort e zakonshme. Në njërën prej tryezave të resortit turistik në fjalë, që ndodhet pak kilometra lag Gjilanit, ishin të ulur tre persona. Njëri prej tyre ishte krye shefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti.

Por, jo e zakonshme është prania në të njëjtën tryezë e Bekim Xhonit. Policit që IPK’ja të cilën e drejton Mehmeti, fund gushtin e 2016’ës, ngriti kallëzim penal duke e implikuar policin në fjalë në dyshimet se ka detyruar një të akuzuar të pranonte fajin dhe të dënohet për një “vrasje të rëndë në tentativë” që se kishte kryer.

Bashkë me ta është edhe një tjetër zyrtarë i lartë i Policisë së Kosovës. Drejtuesi i pikës kufitare në Jarinje, Skënder Sadiku, që është shefi i Bekim Xhonit, i përfshirë në skandalin policor të montimit të rastit.

Nga fotografia lë të kuptohet se dreka është shtruar për Kryeshefin e IPK’së Hilmi Mehmeti dhe Komandatin e Policisë në Kufirin në Jarinje, Skënder Sadiku. Pasi ushqimi është i servuar vetëm para tyre. Derisa, fotografinë në fjalë e ka shpërndarë gjatë verës së këtij viti (2017), në rrjetin social ‘facebook’, polici Xhoni, që i shoqëronte ata.

Gazeta Express javën që shkoi ka raportuar për kallëzimin penal që IPK’ja ngriti ndaj policit me të cilin shefi i inspektorëve policorë darkon në një prej restorantit më luksoz në vend. Në kallëzimin penal që IPK para një viti e një muaji deponoi në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ngritën dyshimet se polici Bekim Xhoni i njohur si “Keka” bashkë me tre të dyshuar tjerë, Agim Aliun, Armend Spahiun dhe Selim Selimin detyruan prishtinasin K. G., që të pranojë kryerjen e një vepre penale “vrasje e rëndë në tentativë”, e të cilën sipas të gjeturave të hetuesve të IPK’së del se e kanë kryer tre të dyshuarit tjerë të lartë cekur.

K.G. ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me 2 vjet e 6 muaj burim, në mars të 2012, për krimin që ka ndodhur në gusht të 2011 e që po del se nuk e ka kryer.

E krejt kjo, sipas dokumentit të IPK’së, të cilin prokuroria e Prishtinës edhe një vit pas e ka lënë në sirtarë, ndonëse të njëjtit kanë ngritur aktakuzën ndaj të dënuar që më pas u detyra të arratiset në Zvicër, është bërë edhe me ndihmën e të dyshuarit të pestë të përmendur në kallëzim penal. Bëhet fjalë për hetuesin e Policisë së Kosovës, Osman Gashi, që dyshohet se montoi provat në këtë rast.

Kryeshefi i IPK’së, Hilmi Mehmeti, i kontaktuar të hënën nga Gazeta Express fillimisht provon të paraqitet se nuk është në dijeni se për çfarë rasti e fotografie po flitet.

Ai konfirmon se ka qenë në drekë në restorantin në afërsi të Gjilanit, derisa po ktheheshin nga një ceremoni varrimi në Kamenicë. Por, thotë se nuk i kujtohen të gjitha kallëzimet penale që ngritën nga Inspektorati Policorë që vetë Mehmeti drejton.

“Mu si rast nuk po më kujtohet. Edhe rastet që i heton IPK’ja, unë jam kryeshef e nuk i di krejt, se munden edhe me mu përzi. Kallëzimet penale nuk i nënshkruaj unë, i nënshkruan drejtori i hetimeve”, tha Mehmeti, ndërkohë se provon të thotë se në drekë kanë qenë shumë polic të tjerë.

“Në “Planet” [restoranti ku është bërë foto] jemi kanë para një tre muaj dite. Jemi kanë po mdoket pasi jemi kthy nga ni vorrim. Ka pas shumë polic, e vallai s’po më kujtohet. Nuk po më kujtohet në detale”, thotë ai përmes telefoni.

Por, pasi i thuhet se në foto është vetëm ai, polici i dyshuar Bekim Xhoni dhe një i tretë, e jo shumë polic siç pretendon kryeshefi i IPK’së, Hilmi Mehmeti mohon se në atë tryezë të jetë biseduar për kallëzimin penal ndaj skandalit në polici të cilin ka raportuar Gazeta Express, javën që shkoi.

“Jo more çfarte, as se paskam ditë që ka pas kallëzim penal”, thotë ai, ndërkohë që më vonë i kujtohet se paska dëgjuar se polici Bekim Xhoni, bashkë me hetuesin Osman Gashi dhe tre të tjerë dyshohen nga IPK’ja për vepra penale.

Express ka provuar të kontaktojë edhe policin e përfshirë ne skandal Bekim Xhoni, por kontakti të i tij të cilin e ka siguruar gazeta ka qenë jo i qasshëm. /M.Gj./GazetaExpress/.