Pogba në hije, United në krizë

E publikuar: 03/11/2016 12:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Blerja më e shtrenjtë e historisë së futbollit deri tani nuk ka treguar pothuajse asgjë dhe te Manchester United, forma e dobët që ka shfaqur Paul Pogba në këtë fillim sezoni po peshon me të vërtetë shumë. Djajtë e Kuq paguan një cmim me të vërtetë të kripur për të bërë të mundur rikthimin e mesfushorit francez në Old Trafford, pasi derdhën në arkat e Juventusit plot 105 milionë Euro edhe pse një përqindje jo e vogël e kësaj shumë shkoi në xhepat e menaxherit të lojtarit Mino Raiola. Jose Mourinho mendonte se më një si Paul Pogba do të blindonte mesfushën e Manchester United por deri tani ish lojtari i Juventusit ka zhgënjyer pritshmëritë e trajnerit portugez dhe nuk ka arritur të fitojë dot zemrat e tifozëve të Djajëve të Kuq. Sezonin e kaluar që ishte edhe më i miri në karrierën e 23-vjecarit me fanellën e Juves, Pogba shënoi 8 gola në Serinë A ndërsa dha edhe 12 asiste, te bardhezinjtë ai ishte mesfushori i kompletuar që bënte gjithcka në repartin e ndërmjetëm.

Por aventura e Pogba në Premier League ka nisur simos më keq sepse në këto 10 javë të para, edhe pse ka goditur plot 33-herë portat kundërshtare, francezi është një nga lojtarët me efikasitetin më të dobët në kampionatin anglez. Vetëm një gol i shënuar ai në fitoren e thellë ndaj Leicester-it dhe nëse krahasojmë goditjet në portë me mesataren e finalizimit ajo është shumë e ulët. Vetëm 3,23 % i saktë ka qenë Pogba i cili gjithsesi ka arritur të realizojë 2 gola të tjerë në Europa League pikërisht në duelin e Old Trafford ndaj Fenerbahces. Në ligat më të rëndësishme europiane vetëm Gianluca Caprari, sulmuesi që është në pronësi të Interit por që luan si i huazuar te Pescara ka bërë më keq se djaloshi i artë, pasi ka një mesatare finalizimi krahasuar me goditjet drejt kuadratit prej 2.94%. Ndoshta ka ende nevojë për kohë dhe në të ardhmen mund të jetë ai lideri i Manchester United, por për momentin nuk ka treguar pothuasje asgjë nga vetja dhe blerja e tij deri në këto momente është një dështim për Manchester United, pasi mos harroni bëhet fjalë për lojtarin më të shtrenjtë të transferuar ndonjëherë në një klub në të gjithë historinë e futbollit.