Tenderi me dy oferta i Trepçës, shpërblehet kompania më e shtrenjtë për rreth 60 mijë euro për furnizim me derivate

E publikuar: 29/04/2026 07:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania publike Trepça SH.A. ka shpërblyer me kontratë një grup të operatorëve ekonomikë KOSVIK LTD D.O.O. dhe Petrol Company SH.P.K. për furnizimin me naftë dhe derivate të naftës, në vlerë prej 349,398.00 euro, përkundër që ofertuesi i dytë ishte më i lirë për 60 mijë euro, raporton Infosot.

Në këtë procedurë janë pranuar gjithsej dy tenderë, ndërsa sipas dokumentit zyrtar është konsideruar vetëm një tender i përgjegjshëm. Operatorët ekonomikë fitues janë grupi i përbërë nga KOSVIK LTD D.O.O. dhe Petrol Company SH.P.K., me adresë në Zubin Potok.

Oferta e këtij grupi ka qenë 349,398.00 euro dhe është shpallur si tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët në kuadër të tenderëve të vlerësuar si të përgjegjshëm.

Operatori tjetër ekonomik që ka marrë pjesë në këtë tender është Ratko Pavlovic B.I., i cili ka ofruar çmim prej 290,870.00 euro. Kjo ofertë është rreth 58 mijë euro më e ulët se oferta e shpallur fituese.

Në dokumentet e publikuara për këtë aktivitet të prokurimit nuk paraqitet arsyetim i detajuar për refuzimin e ofertës së këtij operatori ekonomik.

Kontrata përfshin furnizimin me naftë dhe derivate për disa njësi të Trepça SH.A., përfshirë Flotacionin Trepça në Leposaviq, Zonën industriale në Zveçan, Minierën e Crnacit dhe Minierën Belo Brdo.

Sipas të dhënave të regjistrimit të biznesit, aktiviteti primar i kompanisë KOSVIK LTD D.O.O. është ndërmjetësimi për shitjen e mallrave ushqimore, pijeve dhe duhanit. Aktiviteti sekondar i saj është tregtia me shumicë jo e specializuar, ndërsa ndër aktivitetet tjera përfshihen tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara ku mbizotërojnë ushqimi, pijet dhe duhani, tregtia tjetër me pakicë në dyqane jo të specializuara, si dhe tregtia me pakicë e frutave dhe perimeve në dyqane të specializuara.

Në këtë kontratë, KOSVIK LTD D.O.O. është pjesë e grupit të operatorëve ekonomikë së bashku me Petrol Company SH.P.K., kompani e cila operon në furnizimin me derivate të naftës.

Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës të datës 20 prill 2026, ky aktivitet i prokurimit është zhvilluar me procedurë të hapur, me kriter për dhënien e kontratës çmimin më të ulët. Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 400,000.00 euro, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj. Kontrata është nënshkruar më 17 prill 2026, ndërsa aktiviteti i prokurimit është inicuar më 25 dhjetor 2025 dhe njoftimi për kontratë është publikuar më 26 dhjetor 2025.

Tenderi me i shtrenjt (Dokument)