Përplasje në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Sylë Hoxhaj braktis mbledhjen

E publikuar: 13/03/2015 15:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbledhja e sotshme e Këshillit Prokurorial të Kosovës është shndërruar në të jashtëzakonshme. Me të nisur ajo, kryesuesi dhe u.d. i kryeprokurorit, Sylë Hoxha e ka lëshuar mbledhjen.

Shkas është bërë mandati i dy anëtarëve të KPK-së, Sevdije Morina dhe Jetish Maloku. Kjo çështje ishte kryer javën e kaluar, por prapë është vendosur në rend të ditës. Hoxha ka kërkuar nga Morina e Maloku të largohen nga mbledhja, meqë ka thënë se ka konflikt interesi. Por anëtarët e kanë kundërshtuar këtë duke thënë se çështja është përfunduar në mbledhjen e kaluar kur Jetish Maloku hoqi dorë nga vazhdimi i mandatit duke ia lënë rendin Sevdije Morinës.

“Unë po largohem nga këtu, sepse nuk dua ta shkel ligjin”, ka thënë Sylë Hoxha, duke u larguar në mënyrë demonstrative.

Mbledhjen e ka vazhduar zëvendësi i tij, Idaim Ismajli. Më 4 vota për dhe 2 kundër është votuar të vazhdohet mbledhja. Është duke u diskutuar që mbledhja të vazhdojë me të vetmen pikë të rendit të ditës – shkarkimin e Sylë Hoxhës. Këtë e ka kundërshtuar Florent Muçaj.

Mbledhja është duke vazhduar me shumë diskutime.