PDK: VV abuzoi me foltoren e Kuvendit

E publikuar: 14/08/2017 12:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besim Beqaj tha se do të jenë të pranishëm të mërkurën në takimin konsultativ të thirrur nga kryesuesi Adem Mikullovci.

Beqaj pas takimit të Kryesisë së PDK-së tha se të gjitha deklaratat se në vend ka krizë politike janë të pavërteta, pasi sipas tij, PAN së shpejti pas konsultave do të procedojë me formimin e institucioneve.

Ai konfirmoi pjesëmarrjen e PDK-së në takimin konsultativ të së mërkurës, ndërsa mbajtjen e debatit të sotëm në Kuvend e quajti shkelje të Rregullores së Kuvendit.

Sipas tij, as në kushte normale nuk mund të mbahet seancë me 55 deputetë, lëre të mbahet debat në një seancë konstituive.

Beqaj, ka thënë se ajo se cfarë ka ndodhur sot në Kuvend është abuzim i paprecedent i foltores sepse dihet se si mbahet seanca themeltare.

“PAN nuk është bllokues. Mandatari ka nevojë për konsulta shtesë por do t’i i formojmë institucionet shpejtë”, ka thënë Beqaj.

Ai tha se Mikullovci ka rënë nën diktatin e partisë së tij dhe me këtë mënyrë të udhëheqjes së Kuvendit dhe mbajtjes së seancave po abuzojnë me Kuvendin.