Pas takimit me Kurtin – Faton Klinaku i OVL UÇK “habit” me reagimin e tij

E publikuar: 25/03/2022 22:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka shpeshtuar deklaratat e tij për “veteranët e rrejshëm”.

Në dy debatet e fundit, Kurti e përmendi këtë çështje, duke cituar madje edhe një numër të veteranëve të vërtetë që ai mendon se kanë qenë.

“Kur je veteran, ti merr pension. Qysh veteranët me marrë pagë minimale? Ata meritojnë shumë më shumë se pagën minimale. Por, duhet t’i bëjmë evidencat e sakta. Nuk janë 60 mijë veteranë. Nëse dikush dëshiron ta gënjejë vetën nuk mund të më gënjejë mua. Janë maksimalisht 20 mijë”, tha Kurti së fundmi.

Ndërsa sot, Kurti ka zhvilluar një takim me ushtruesin e detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinakun.

Klinaku pas takimit me Kurtin është shprehur se si OVL UÇK, nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me verifikim, por sipas tij përfaqësohen veteranët dhe obligim është që të përkujdesemi për mirëqenien e tyre.

Postimi i plotë:

Kur kanë aplikuar njerëzit, ka qenë e përcaktuar me ligj se keqpërdorimi i statusit të veteranit paraqet vepër penale. Si organizatë e veteranëve të luftës së UÇK-së, po harrohet se duke parë shifrat, para disa viteve kemi kërkuar që procesi i verifikimit të veteranëve duhet të hetohet nga prokuroria dhe për këtë është nisur proces gjyqësor, i cili ende po vazhdon. Verifikimi i veteranëve të luftës mund të bëhet me proces gjyqësor, që të shihet se ku është bërë shkelje ligjore, por edhe nëse fillon të krijohet tjetër komision qeveritar, nuk mund të verifikohet ndryshe përveçse me anë të komandantëve të UÇK-së.

Ne si OVL UÇK, nuk kemi pasur të bëjmë asgjë me verifikim e as nuk kemi, por përfaqësojmë veteranët dhe e kemi obligim të përkujdesemi për mirëqenien e tyre.

Këto ia kemi thënë në takim edhe kryeministrit.