Pas ngjarjeve në Bruksel edhe Kosova shton masat e sigurisë

E publikuar: 22/03/2016 15:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas sulmeve zingjirore terroriste që goditën Brukselin, gjatë mëngjesit të sotëm, ku deri më tani janë raportuar 34 persona të vdekur, e shumë të lënduar, në secilin vend është shkaktuar kaos dhe janë shtuar masat e sigurisë.

Klan Kosova ka kontaktuar me Zëdhënësin e Policisë, Baki Kelanin, për të kuptuar rreth nivelit të sigurisë që ndodhet në vend duke iu referuar gjendjes së tanishme e ky i fundit tha se tashmë në vend janë shtuar masat e sigurisë.

Duke iu referuar situatës së fundit Policia e Kosovës ka ndërmarr masa shtesë me qëllim të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe parandalimit të incidenteve të mundshme në gjithë vendin

Kelani tha se Policia e Kosovës dhe Institucionet e tjera të sigurisë janë duke bërë vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e kërcënimit nga secili aktivitet kriminal apo edhe ndaj çdo kërcënimi të mundshëm terrorist.

Me qëllim të parandalimit të sjelljeve të të dyshuarve që kryejnë ndonjë vepër të tillë penale Policia e Kosovës, është duke monitoruar çdo lëvizje edhe pse deri më tani Kosova, nuk ka ndonjë indikacion apo informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në vend”.