Partitë u dënuan me 153 mijë euro, kandidojnë vetëm 8 gra për Kryetare

E publikuar: 21/10/2017 11:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe kësaj radhe në Kosovë ka pasur favorizim të burrave në raport me gratë në zgjedhjet lokale. Nga 204 kandidatë për Kryetarë të Komunave, vetëm 8 janë gra. Ndërkaq, gjatë fushatës, partie u dënuan me 153 mijë euro. Këto janë gjetjet e Institutit të Kosovës për Qeverisje Lokale.

“Janë 204 kandidatë që do të garojnë për Kryetarë të Komunave dhe 7,080 kandidatë që do të garojnë për 901 vende në 38 komuna për Kuvende Komunale. Për fat të keq, vetëm 8 nga 204 kandidatë për Kryetarë të Komunave janë gra”, shkruan në analizën për Zgjedhjet Lokale, e publikuar një ditë para zgjedhjeve.

Edhe në këto zgjedhje, problemi më i madh i votuesve del papunësia, pastaj edukimi e shëndetësia.

“Janë pesë çështje që dalin si prioritete në Kosovë:  Niveli i lartë i papunësisë;  Edukimi jo-kualitativ dhe shërbimet shëndetësore të fragmentuara;  Mungesa e ujit të pijshëm, mbrojtja e ambientit, pastërtia dhe mbledhja e mbeturinave;  Pakënaqësia e madhe e qytetarëve me performancën e autoriteteve në ofrimin e shërbimeve publike dhe administrative;  Mungesa e hapësirave për rini, kulturë dhe sport”, shkruan në analizë.

Si rekomandim në këtë analizë është nxitja e grave për të garuar në zgjedhje; KQZ t’i edukojë më shumë votuesit; që fushata të zvogëlohet në tri javë; që korniza ligjore të parandalojë partitë politike fituese të bëjnë zëvendësime për shërbyesit civilë bazuar në baza partiake.