Parlamenti Evropian diskuton të martën për raportet Kosovë-Serbi

E publikuar: 29/09/2023 09:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Parlamenti Evropian do të diskutojë të martën lidhur me raportet Kosovë-Serbi, pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Në njoftimin e publikuar në faqen PE-së, thuhet se diskutimi do të mbahet të martën pasdite.

“Pas përleshjeve të fundit vdekjeprurëse në veri të Kosovës, eurodeputetët do të diskutojnë të martën pasdite për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës me Komisionin dhe Këshillin. Këtë javë, Përfaqësuesi i Lartë dënoi në termat më të ashpër sulmin e një bande të armatosur kundër policëve të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës më 24 shtator, i cili la të vdekur një polic dhe tre sulmues.”, thuhet në njoftim.

Aty rikujtohet se si përmes dy raporteve të miratuara në maj të këtij viti, eurodeputetët kërkuan nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në parimin e njohjes reciproke.

“Në dy raporte të miratuara në maj 2023, eurodeputetët i kërkuan Serbisë dhe Kosovës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të arrijnë pa vonesë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyjave bazuar në parimin e njohjes reciproke. Serbia është një vend kandidat për në BE që nga viti 2012 dhe negociatat për anëtarësim kanë filluar në vitin 2014. Kosova zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor 2022.”, përfundon njoftimi i PE’së