Pacienti që pagoi 7500 për tri stenta, akuzon MSH-në që s’po e kompenson (Video)

E publikuar: 16/09/2015 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëm disa muaj para se të ndodhin arrestimet e mjekëve të QKUK-së të përfshirë në skandalin e stentave, një pacient ishte dërguar me urgjencë nga QKUK-ja për t’u trajtuar në një nga spitalet private.

Pas një sulmi në zemër, Ragip Shapeta, në maj të vitit të kaluar, me udhëzim të QKUK-së, ishte referuar me urgjencë për trajtim në një nga spitalet private, raporton KTV.

Ndonëse vetëm në vitin 2012, Ministria e Shëndetësisë kishte marrëveshje me disa spitale private për heqjen e shpenzimeve të pacientëve që dërgohen në klinikat private, Shapeta thotë se atë e referuan mjekët e QKUK-së në spitalin privat “Internacional Hospital Medicine”.

Për dy intervenime ku Shapetës iu vunë tri stenta në zemër, ai pagoi një shumë prej 7500 euro. Shapeta thotë se ai shkoi në këtë spital me shpresën së këto para do t’i kompensoheshin nga Ministria e Shëndetësisë. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi as pas një viti të kryerjes së pagesës, transmeton Koha.net.

Ministria e Shëndetësisë thotë se Shapetës iu refuzua kërkesa për kompensim, pasi që ai kishte kryer trajtimin dhe pagesën në kundërshtim me udhëzimin administrativ.