Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani ka thënë të dielën se të gjitha Bordet e kompanive publike që i menaxhon qeveria dhe kanë performancë negative, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, do të shkarkohen dhe do të shpallet konkurs i hapur publik me ndihmën e projektit nga Ambasada Britanike.
“Të gjitha bordet që kanë performancë negative do të shkarkohen. Ambasada Britanike e ka një projekt me Qeverinë e Kosovës që me i mbikëqyrë krejt konkurset në institucione. Ne e kemi ndërmend me e rritë prezencën e Ambasadës Britanike sepse ata nuk kanë interes me i dhanë përparësi dikujt në baza partiake”, ka thënë Osmani.
Ajo potencoi se libreza partiake nuk do të jenë më kriter i punësimit por vetëm meritokracia. “Nëse na nuk e krijojmë meritokracinë si bazë, atëherë kemi me dështu. Politikanët vijnë e shkojnë ndërsa shtylla më e rëndësishme mbesin shërbyesit civil”, ka thënë Osmani/infosot/.