Osmani: Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht

E publikuar: 01/10/2023 14:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, sot dha një intervistë për mediumin italian “La Repubblica”.

Osmani foli për sulmin terrorist të së dielës së kaluar, ku tha se një grup prej 30 personave terroristë serbë sulmuan Policinë e Kosovës. Nga ky sulm mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre terroristë serbë.

Por Osmani theksoi se Serbia duhet ta dijë  që do të përballet me një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çdo kusht.

“Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht dhe se NATO është me ne.”

Osmani gjithashtu shtoi se Serbia është duke vepruar shumë më ndryshe se ajo që është parë në 25 vitet e fundit.

“Ka prova të pakundërshtueshme. Serbia ka kryer një akt agresioni më datën 24 shtator dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke përforcuar forcat e armatosura dhe artilerinë në kufirin me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vitet e fundit, e paprecedentë.”

Ajo ka thënë se Serbia me metodat e Putinit, po dëshiron ta ankesojë veriun njëjtë si Putini Krimenë.

“Ai ka pasur gjithmonë pretendime territoriale, tani ai dëshiron të përdorë modelin e Putinit për një aneksim të stilit të Krimesë. Natyrisht nuk do ta lejojmë. Ne punojmë me forcat e NATO-s për të mbrojtur liritë tona të fituara me vështirësi, pavarësinë tonë.”, ka thënë Osmani.