Osmani përgëzon FSK-në për punën në Turqi: Jemi krenar me ju

E publikuar: 14/02/2023 13:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përgëzuar ekipet e FSK-së për punën që po bëjnë në shpëtimin e jetëve në Turqi pas tërmetit që ndodhi javën e kaluar.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë heroizmi i tyre tregon për solidaritetin dhe gatishmërinë për qenë afër miqve në kohëra të vështira.

“Trimëria dhe vendosmëria e palëkundur e ushtarëve tanë për të shpëtuar jetë nga rrënojat e tërmeteve shkatërruese në Turqi ngjallë shpresë në këtë tragjedi që ka shkaktuar trishtim në çdo cep të botës. Heroizmi i treguar nga Forca jonë e Sigurisë na kujton dhembshurinë dhe solidaritetin e popullit tonë për të qëndruar krah për krah me miqtë tanë në kohë sfiduese. Faleminderit FSK që në tërë këtë dhimbje e trishtim, na jepni shkëndija shprese. Jemi krenar me ju”, ka shkruar Osmani.

Ekipet e FSK-së kanë arritur deri tash të nxjerrin të gjallë katër persona nga rrënojat e objekteve të shkatërruar nga tërmetet.

Numri i të vdekurve në Turqi e Siri pas tërmetëve ka shkuar në mbi 35 mijë.