Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, sot ka qëndruar në Boletin të Mitrovicës ku edhe e ka vizituar kullën e Isa Boletinit.
Osmani përmes një postimi në Facebook ka thënë se nga kulla e heroit u dëgjua zëri i mosprekjes së kufijve dhe mbrojtjes së sovranitetit.
Ajo ka thënë po ashtu se zgjedhjet e 6 tetorit do të rikonfirmojnë se vetëm LDK-ja i ka dalë dhe do t’i dalë zot Kosovës.
Postimi i plotë i Osmanit:
Sot në Kullën e Isa Boletinit, në veri të vendit, u dëgjua vetëm një zë: ai i paprekshmërisë së kufijve të Kosovës, i mbrojtjes së sovranitetit, e i mbrojtjes së nderit dhe sakrificës së paraardhësve tanë.
As ata që ikën nga përgjegjësia e mbrojtjes së vendit e as ata që ishin të gatshëm të rrezikojnë sovranitetin shtetëror për interesa personale, sot nuk mund të na flasin për guxim e për shtet.
6 tetori do të rikonfirmojë se është vetëm një parti që i doli Zot Kosovës në vitet e 90-ta e do t’i dalë Zot edhe sot: Lidhja Demokratike e Kosovës.