Osmani: Martin Berishaj është mirë të tërhiqet vetë, s’kam pasur komunikim me të

E publikuar: 08/09/2024 21:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja Vjosa Osmani ka folur sonte për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili në vitin 2022 u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro te një kompani private në Mal të Zi.

Osmani ka thënë se për rastin në fjalë institucionet e drejtësisë duhet ta japin fjalën e tyre.

“Kam kërkuar nga MPJ ta thërras në raportim dhe të kërkoj dëshmi me shkrim lidhur me pastërtinë ndaj akuzave që janë bvrv. Mua më është përcjellë nga MPJ që i ka dërgu dëshmitë, jo veç ambsadori, por më është thënë se edhe shtetet përkatëse, edhe Kroacia edhe Sllovenia kanë dërguar dëshmi se nuk ka ndonjë proces atje”, ka thënë Osmani në një intervistë për “Kallxo Përnime“.

E pyetur nëse i beson ambasadorit Martin Berishaj, ajo nuk ka dashur të përgjigjet direkt.

“Nuk dua të përgjigjem, unë dua që institucionet e drejtësisë ta dhënë fjalën e vet, dhe më e mira në raste të tilla është që derisa të kryheshin procedura të tilla që edhe ai të largohej nga ajo pozitë, është mirë që edhe për të pastrohej”, ka deklaruar Osmani.

Ndërkaq e pyetur pse nuk po largohet Berishaj, presidentja ka thënë se nuk mund ta shkarkoj pa ardhur propozimi nga Qeveria.

“Nuk mundet presidentja ta shkarkojë dikë në krye në vete se është procedurë ligjore, duhet me ardhë propozimi nga Qeveria. Në momentin që vjen propozimi nga Qeveria ose vetë largimi vullnetar. Do të ishte mirë që ai me u tërheq vetë. Unë disa raste kam kërkuar në takime, kryesisht Ministrisë së Jashtme, por MPJ ka thënë se të gjitha dëshmitë janë treguar që nuk ka asgjë”, ka pohuar Osmani.

E pyetur nëse ja ka kërkuar largimin Martin Berishajt, presidentja Osmani ka thënë se “nuk kam pasur komunikim me të”, dhe se Berishaj nuk ka qenë krah saj në vizitën e fundit që kishte në Kroaci.

“Nuk ka qenë me mua në vizitën e fundit, sepse kështu kanë vendos. Nuk ka pas nevojë se e kam pas stafin tim aty, ka shumë gjëra që duhet të sqarohen, por është për të mirën e të gjithëve, të imazhit të vet institucioneve dhe politikës të jashtme. Nuk e di cila është e vërteta, me këto tema duhet tjetër kush me u marrë”.

“Është në deskrecion timin se cilin ambasador e ftoj e cilin jo, nuk është në deskrecion të presidentes shkarkimi se me Kushtetutë parashihet se propzoimi vjen nga ana e Qeverisë. Nuk mund t’i shpallë njerëzit fajtorë, pa pasur proces gjyqësor, nuk dua ta shpallë askënd fajtor, por është në të mirën e të gjithëve deri të sqarohen gjërat me u tërheq vetë”, ka deklaruar Osmani.

Kujtojmë se më 29 mars të vitit 2024, ambasadori Martin Berishaj ka përfunduar intervistimin e tij në Prokurorinë Speciale, ku dyshohet për 3 vepra të ndryshme penale.

“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare””, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.