Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, kjo s’ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë

E publikuar: 09/02/2026 16:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj kërkesës së ZPS-së për shqiptimin e dënimit prej 45 vjet burgim për ish – krerët e UÇK-së, për secilin veç e veç, duke thënë se gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.

“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”, ka shkruar Osmani.

Më tej ajo shkruan se çdo përpjekje që tentonte ë barazojë luftën çlirimtarët të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi.

“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë. Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, ka shkruar ajo.