Opozita e bojkoton Veselin, s’i shkon në takim për konsensusin për dialogun me Serbinë

E publikuar: 23/07/2018 19:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partitë opozitare kanë bojkotuar ftesën e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, për të biseduar në lidhje me gjetjen e një konsensusi nacional për dialogun Kosovë-Serbi.

Veseli pas takimit të cilit i ishin përgjigjur pozitivisht vetëm liderët e partive të koalicionit qeverisës, tha se Kosova tani ka nevojë për unitet duke shtuar se kërkesa për një takim të tillë kishte qenë nga opozita, raporton KTV.

Veseli ka përmendur se një pjesë e opozitës, pa specifikuar se cili subjekt politik, është pajtuar të jetë pjesë e dialogut por se mungesa e lidershipit ka ndikuar në vendimmarrje. Ai ka akuzuar Vetëvendosjen që po përdorë populzimin për qëllime politike .

Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se vendi i vetëm për dialog është brenda Kuvendit, dhe se çështja e dialogut me Serbinë, duhet të marrë formë atëherë kur institucionet të kenë legjitimitet të plotë.

Ndërsa sipas shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së Glauk Konjufca, takimi është bojkotuar nga ky subjekt politik pasi që ishte thirrur për t’ia krijuar presidentit Hashim Thaçi legjitimitetin dhe komoditetin për të udhëhequr me dialogun me Serbinë.

Dy subjektet opozitare theksuan se tashmë kanë filluar të koordinojnë veprimet opozitare për t’ia pamundësuar koalicionit qeverisës kalimin e ligjeve e projektligjeve, duke kërkuar kështu dërgimin e vendit në një palë zgjedhje të reja.