Nxënësit e shkollës ku i kreu Liridona mësimet, shkojnë në rivarrim me portretin saj në bluza

E publikuar: 04/12/2023 14:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me bluza të bardha dhe me fotografinë e saj të vendosur në mes. Kështu i është bërë nderimi sot në fshatin Rracaj, Liridona Ademaj, trupi i së cilës u zhvarros nga fshati Cërmjan, për t’u rivarrosur në fshatin e saj të lindjes.

Nxënësit e shkollës fillore “2 dëshmorët”, aty ku Liridona kreu shkollën kur ishte në Kosovë me lule në duar dhe bluza të bardha me portretin e Liridonës, morën pjesë në rivarrim.

Përvec tyre, në rivarrimin e së ndjerës ishin edhe shumë bashkëfshatarë dhe familjarë të familjes Ademaj.

Familjarët e të ndjerës të dielën i kishin dorëzuar kërkesë me shkrim prokurores Besa Limani për të lejuar zhvarrosjen dhe rivarrimin e Liridonës.

“E nderuar prokurore, kërkojmë nga ju që të na mundësoni që turpin e vajzës sonë Liridona Ademaj ta zhvarrosim dhe ta rivarrosim në fshatin Rracaj. Kjo është një procedurë dhe përjetim tepër i rëndë për neve dhe këtë vendim e kemi marrë me shumë vështirësi por duam që ajo të prehet në shtëpinë e saj”, thuhej në kërkesën e familjarëve të Liridonës.

Familjarët kanë kërkuar gjithashtu nga prokurorja që gjatë procedurës së zhvarrosjes dhe rivarrosjes përmes policisë të ju sigurohet privatësi e plotë.

Ndryshe, Liridona Ademaj, është vrarë më 29 nëntor në Prishtinë.

Në mesin e tre të dyshuarve për vrasjen e 30-vjeçares është edhe burri i saj, Naim Murseli.

Në seancën dëgjimore të mbajtur të dielën Gjykata Themelore e Prishtis u caktoi nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve, dhe të njëjtit janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë.