Nura: Nëna Zahide kurrë nuk u lodh duke përkundur lirinë

E publikuar: 03/06/2025 14:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka njoftuar se në ditën e lirisë, më 18 qershor, skulptura e Nënës Zahide Jashari do ta marrë dritën e ditës në oborrin e çerdhes që mban emrin e saj, e që, sipas tij, është shumë më tepër se një përmendore. Ai ka thënë se është një përjetësim i dashurisë më të madhe: dashurisë së nënës për fëmijën dhe dashurisë së një kombi për lirinë.

Ai ka theksuar se do përkulemi, jo thjesht para një skulpture, por para një shpirti që rrezaton përjetësi. Para një gruaje që nuk ishte vetëm nënë e fëmijëve të saj, por u bë Nëna e një kombi. “Nëna Zahide Jashari është simbol i qëndresës, i dhembjes, i dashurisë dhe i sakrificës së shenjtë”.

“Nëna Zahide, me sytë plot dhimbje dhe krenari, qëndron e palëkundur pranë djepit. Përkundja e djepit është më shumë së një veprim i zakonshëm; ajo është një gjest i dashurisë, i besimit dhe i mbrojtjes, një reflektim i një lidhjeje që është e thellë, e pavdekshme dhe e papërshkrueshme. Ajo përkund jo vetëm trupin e një fëmije, por ëndrrën për liri. Me një dorë mbi djep dhe me tjetrën mbi gjurin e saj, ajo na kujton se heronjtë nuk lindin rastësisht – ato rriten nga duart dhe zemrat e nënave te tilla.

Skulptura e Nënës Zahide është një fjalë pa zë që flet shumë. Është një homazh për të gjitha nënat shqiptare, por edhe një thirje për ne, që të mos harrojmë se liria që gëzojmë sot, ka ardhur nga djepi i përkundur me duar që nuk u lodhën kurrë së dashuruari atdheun”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Po ashtu ai ka thënë me vendosjen e kësaj skulpture, ne nuk po ngremë vetëm një monument prej bronzi, por po e ngulisim në kujtesën tonë të përbashkët një simbol të përjetshëm të sakrificës, guximit dhe dashurisë së pakushtëzuar për atdheun.

“Nëna Zahide nuk ishte vetëm nënë e Adem e Hamëz Jasharit. Ajo ishte nëna e një ushtrie të tërë zemrash që rrahën për atdheun.

Në këtë hapësirë ku rriten fëmijët dhe fillojnë të mësojnë edhe për dashurinë ndaj atdheut, do të qëndrojë një nënë heroinë që ju ruan, ju buzëqesh, dhe ju bekon – Nena Zahide”, ka shkuar Nura.