Numër i vogël i protestuesve kundër masave të reja të Qeverisë

E publikuar: 13/11/2020 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një iniciativë për protestë gjithëpopullorë, në kundërshtim të masave të reja anti-covid, kishte nisur ditë më parë në rrjetet sociale, por sot kur edhe ishte paralajmëruar të mbahej protesta, para Qeverisë së Kosovës dolën një numër i vogël i qytetarëve. Ata kundërshtuan kufizimet e reja që ka vendosur ekzekutivi për të ndalur përhapjen e koronavirusit, ndër të cilat edhe kufizimin e lëvizjes qytetare dhe aktivitetit ekonomik.

Shkodran Mehmeti, i cili ka një biznes, ka dalur të kundërshtojë masat, që sipas tij, janë absurde.

“Ky është menaxheri i lokalit dhe vendosa të ja lë qeverisë këtu, të mirret ai me ta, nuk kam çfarë të bëjë më ka mbështet për muri”, tha ai.

Ai tha se është i detyruar të reduktojë numri e punëtorëve për shkak të kufizimit në orar që u bëhet lokaleve.

“Ne i refuzojmë këto masa qysh prej fillimit që na kanë qit njëherë në orën 9 njëherë në orën 10, ndale muzikën, janë absurd për ne, po na ndikon në biznes tonin shumë, sot e pash Shoqata e Gastronomisë ish distancu prej protestës, për mendimin tim ata nuk na përfaqësojnë më ne, sepse po na ndikon ne. Unë i kam 12 punëtorë në lokal timin, automatikisht po duhet me i heq 6, sepse duhet me mbajt me vetëm një ndërrim e jo dy, qeveria nuk po i qet rrogat punëtorëve”, tha ai.

Ndërsa, Flutura Zymi, qytetare e Prishtinës, masat e reja po i sheh si të palogjikshme.

“Kjo qeveri duhet të ndërrohet komplet, totalisht komplet, me dalë prap në zgjedhje, prap me votu, edhe nëse tjetra nuk është në rregull, prap me dalë në zgjedhje, diçka duhet me bo, që 20 vjet nuk është në rregull. Një test duhesh me pagu, shkon në ambullantë dhe të thotë bën e nuk bën me bo testin, çfarë procedure e rëndë është më bo një test, nuk ka as barna, kurrgjë hiç dhe populli duke pi makiato”, tha ajo.

Ajo tha se ndjehet e dëshpëruar kur sheh numri ne vogël të qytetarëve që kanë dalur sot në protestë.

“Sot dola në protestë por e dëshpëruar si gjithmonë, që ka shumë pak njerëz që protestojnë dhe nuk po e kuptoj këtë popull pas 20 viteve qysh po mendojnë që ka me u ndreq kjo punë, duke pi makiato e duke bë llaf e llaf që 20 vjet, ne duhet me dalë këtu në shesh e mos me lëvirë prej sheshit derisa na plotësohen kërkesat tona dhe derisa kjo qeveria kthehet nga qytetari”, tha ajo.

Në këtë organizim, që u thirr nga “Zëri i Popullit” nuk mungoi as Shukri Retkoceri, një qytetar që zakonisht merr pjesë në organizime të tilla.

“Avdullah Hoti për herën e dytë këto masa që po i bën është e tepruar, nëse shumë shtete ndërpritet puna ata paguajnë çdo punëtor që i ndërpritet puna. Avdullah Huti a do të ia paguajë 85 mijë, 85 mijë punëtorë është e paraparë me ndërpre punën. Kjo është e tepruar”, tha ai.

Nga protesta e stome, janë distancuar Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

“Jemi të distancuar nga protesta e cila është thirrur të mbahet sot në ora 11:00, në “Sheshin Skënderbeu” në Prishtinë, para ndërtesës së Qeverisë. Gjithnjë jemi dhe mbesim të distancuar nga të gjitha organizimet dhe aktivitetet e bizneseve të gastronomisë të cilat nuk respektojnë masat për luftimin dhe menaxhimin e pandemisë”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Gastronomët kanë kërkuar që me urgjencë të krijohet pako ekonomike për gastronomi në të cilën do të përfshiheshin subvencionimi, shtyrja e kredive dhe lejimi i shërbimeve ‘delivery’ edhe pas orës 19:00.

Nga sot, me vendim të Qeverisë së Kosovës hyjnë në fuqi masat e reja për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19.

Vendimi përfshin 30 masa, ndër të cilat edhe kufizimi i lëvizjes qytetare nga ora 19:00 dhe mbyllja e aktivitetit ekonomik, në komunat me rrezikshmëri të lartë./G.Kadrija/