Nominimi i Hotit: LDK-ja ia jep besimin kandidatit të 2017-tës, të pestit me vota në parti

E publikuar: 23/04/2020 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Herët në mëngjes, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, mblodhi Kryesinë e partisë.

Aty anëtarët e kësaj partie u panë në disponim të mirë, para se të niste mbledhja për të vendosur kandidatin e ri për kryeministër, raporton KOHA.

Zëvendëskryeministri i shkarkuar në Qeverinë Kurti, Avdullah Hoti është i propozuari i kësaj partie për kryeministër.

Kjo edhe pas letrës që presidenti Hashim Thaçi ia dërgoi LDK-së për të propozuar emrin e ri për shef të mundshëm të ekzekutivit kosovar.

Prioritet e tij nëse bëhet kryeministër tha se do të jenë: dialogu me Serbinë, përballja me pandeminë dhe efektet ekonomike të saj.

Për heqjen e reciprocitetit shtoi se do të koordinohen me bashkësinë ndërkombëtare.

Hoti tha se për procedurat kushtetuese të zgjedhjes së Qeverisë i takon të sqarojë Zyra e presidentit.

Shefi i tij, Isa Mustafa, pranoi se dëshironte të bëhej kryeministër, por këtë, siç tha ai, ia pamundëson shëndeti fizik.

Ka folur edhe për deklarimet e Vetëvendosjes se do të bëjnë rezistencë ndaj krijimit të qeverisë së re.

Mustafa pati fjalë të mira për Avdullah Hotin, i cili u përzgjodh për të qenë kandidat për kryeministër, karshi dy eksponentëve të LDK-së, Lutfi Hazirit e Kujtim Shalës.

Edhe në këtë mbledhje të LDK-së, nënkryetarja e kësaj partie, Vjosa Osmani, nuk mori fare pjesë.

Mustafa tha se do të varet nga partia e parë në zgjedhje nëse Vjosa Osmani të mbetet edhe më tutje kryetare e Kuvendit.

Duke qenë kandidat për deputet, i renditur numër 3 në listë, Avdullah Hoti në zgjedhjet e 6 tetorit ka qenë i pesti më i votuar në LDK, me më shumë 26 mijë vota.

Ndërkaq, në zgjedhjet e 2017-s, Hoti ishte kandidat i LDK-së për kryeministër, por partia e tij në koalicion parazgjedhor me AKR-në dhe Alternativën doli e treta, pas koalicionit PAN dhe Vetëvendosjes.