NJSI përsëri në protestë, i bashkohen edhe njësitet e tjera të Policisë

E publikuar: 30/11/2023 23:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njësia Speciale Intervenuese e Policisë protestojnë para Qeverisë së Kosovës, 2 nëntor 2023.
Policët nga Njësitë Speciale, Hetimeve, Rendit Publik dhe departamenteve të tjera të PK-së kanë paralajmëruar protestë më 9 dhjetor.

Sipas një dokumentit të siguruar nga Dukagjini, thuhet se NJSI-ja dhe departamentet e tjera të Policisë, do të mbajnë protestë për t’i shprehur pakënaqësitë lidhur me shtesat dhe kategorizimin e rrezikshmërisë.

Protesta pas nëntë ditësh pritet të fillojë nga ora 12:00 deri në 12:30.

Më 1 nëntor, pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës (NJSI) dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME) protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit të pagesës për rrezikshmërinë në punë.

Ata kërkuan që shtesa për rrezikshmëri të jetë 50 për qind e pagës së tyre bazë, e jo siç i ka përcaktuar Qeveria në shtatë kategori, me vlera të ndryshme monetare.

Pas protestës së 1 nëntorit, Njësia Speciale Intervenuese (NjSI) kishte paralajmëruar protestë sërish më 7 nëntor, por ishte pezulluar pasi që atyre u ishte premtuar një takim me kryeministrin, Albin Kurti për të filluar dialogun.

Por, pa ndonjë marrëveshje kishte përfunduar takimi që zgjati rreth tre orë mes kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesve të Njësisë Speciale Intervenuese dhe me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti.

Ndryshe, më 30 nëntor, Policia e Kosovës gjatë një operacioni të gjerë hetimor në tri lokacione të ndryshme lidhur me grabitjen e javës së kaluar në një argjendari në Suharekë, ka njoftuar se ka “neutralizuar” një të dyshuar dhe se një pjesëtar i saj është plagosur pasi ishte sulmuar me armë zjarri.