Një në pesë pacientë me COVID-19 preket nga sëmundje psiqike

E publikuar: 12/11/2020 19:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Frika, depresioni dhe pagjumësia janë pasojat më të shpeshta afatgjata të sëmundjes COVID-19, sipas një studim të ri, i kryer nga Universiteti i Oksfordit dhe i botuar në revistën shkencore “Lancet Psychiatry”.

Rreth një vit pas shfaqjes së koronavirusit të ri SARS CoV-2, kemi mësuar se patogjeni agresiv nuk prek vetëm mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes, por edhe zemrën, enët e gjakut, nervat, veshkat dhe lëkurën.

Në muajin korrik, bota u trondit nga lajmi i neurologëve britanikë se edhe te pacientët me simptoma të lehta ose tek ata që janë shëruar nga sëmundja, SARS CoV-2 mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme në tru dhe sistemin nervor qendror, që, nga ana e tyre, mund të shkaktojnë psikoza, paraliza dhe goditje në tru, sëmundje që mund të dallohen shumë vonë.

Shkencëtarët e Qendrës së Kërkimeve Biomjekësore Shëndetësore të Oksfordit kanë zbuluar se te një e pesta e pacientëve sëmundja COVID-19 mund të shkaktojë probleme psikike.

Te 6 % e të sëmurëve diagnostikohen për herë të parë probleme psiqike.

Studimi u bazua në dosjet elektronike shëndetësore të 70 milionë pacientëve anonimë nga SHBA-ja.

Mes tyre, 62 000 pacientë me COVID-19 ishin të sëmurë në gjendje të lehtë.

Tek ata u kontrollua nëse patën shfaqje të problemeve psiqike në periudhën dy javë deri tre muaj pas marrjes së diagnozës me COVID-19.

Sipas studimit, te 18,1 % e pacientëve me COVID -19, pra rreth një në pesë pacientë, u diagnostikuan sëmundje psiqike në këtë periudhë kohore dhe te 5,8 % e pacientëve u pa për herë të parë shfaqja e një sëmundjeje psiqike.

Për t’u siguruar se sëmundjet psiqike janë të lidhura drejtpërdrejt me COVID-19, u bënë krahasime të të dhënave me gjashtë sëmundje të tjera të të njëjtës periudhë kohore: me gripin, me infeksione të tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksione lëkure, gur në tëmtha, gur në veshka, si edhe thyerje të kockave.

Te këto sëmundje u diagnostikuan 2,5 deri 3,4 % e pacientëve me probleme psiqike.

Sipas mjekëve, ky zbulim ishte i papritur dhe duhet studiuar më tej, ndërkohë që shfaqja e shqetësimeve psiqike duhet shtuar në listën e faktorëve të rrezikut nga COVID-19.

Studiuesit britanikë paralajmërojnë, gjithashtu, që të mos mbivlerësohen këto të dhëna, sepse për disa nga anomalitë nuk ka shpjegime të pranueshme.