Ngjyrosja’ politike dështon konkursin për drejtor në shkollën e artit

E publikuar: 25/08/2018 17:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një konkurs për zgjedhjen e drejtorit të Shkollës së Artit “Odhise Paskali” në Pejë ka dështuar për shkak të ngjyrosjes politike të komisionit përzgjedhës.
Ish drejtori i kësaj shkolle, Haxhi Kastrati, pretendon se në procesin e rekrutimit në pozitën e drejtorit të shkollës ndikoi politika që atij të mos i rikonfirmohet posti.

“Gjatë procesit të intervistimit ka pasë shkelje të kritereve për zgjedhjen e drejtorit për shkak se në to kanë marrë pjesë persona që janë të angazhuar në skenën politike, asamblistë të LDK-së në Asamblenë Komunale e te cilët kanë manipuluar me procesin dhe jam i bindur se në përzgjedhjen e kandidatit ka ndikuar politika”, tha ish drejtori Kastrati për KALLXO.com.

Ish drejtori shtoi se pas ankesës së tij, Këshilli të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e anuloi procedurën e rekrutimit për pozitën e drejtorit të shkollës së arteve në Pejë, dhe e detyroi Komunën e Pejës që brenda 15 ditëve ta zbatojë, mirëpo nga dita kur është marrë vendimi ka kaluar afati i rregullt dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga komuna.

Durim Sheremeti, shef i zyrës së kryetarit Gazmend Muhaxheri, tha për KALLXO.com se vendimi i Këshillit të pavarur mbikëqyrës për anulim të konkursit do të ekzekutohet.

“Do të rishpallet konkursi. Ne e kemi pranuar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës i cili është i bazuar në dy gjëra: njëri është që në komision ka marrë pjesë një i nominuar politik ndërsa ai është i përzgjedhur dhe në bazë të udhëzimit administrativ për zgjedhjen e drejtoreve të shkollave thuhet se aty nuk ka të drejtë të jetë ndonjë i nominuar e jo i përzgjedhur. Mirëpo konkursi do të rishpallet”, tha Sheremeti.