Nga 15 prilli punëtoret e KEK-ut marrin pagat me rritje

E publikuar: 04/04/2018 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), më 15 prill do t’i marrin pagat me rritje kanë konfirmuar zyrtarët e kësaj korporate.

Rritjen e pagave në mënyrë lineare prej 100 euro e kishte premtuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, disa herë gjatë vizitave në KEK.

Premtimi i Bordit të KEK-ut për rritjen e pagave në shumë prej 100 eurove ka bërë që sindikata e punëtorëve të ndal protesta dhe grevat.

Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kovës (KEK), Skënder Bucolli ka konfirmuar për Telegrafin se pagat e punëtorëve të kësaj korporate do të rriten.

Ai ka treguar se KEK-u është në përfundim të përgatitjes për zbatimin e rritjes së pagave.

“Ashtu siç ishte paralajmëruar kohë më parë, Bordi i drejtorëve ka vendosur për ngritje të pagave për punëtorët e KEK-ut dhe përgatitjet për zbatimin e këtij vendimi janë në përfundim e sipër. Për informimin tuaj, KEK është në pritje të Raportit të Auditorit të pavarur për pasqyrat financiare 2017 në ditët në vijim”, tha Bucolli.

Ndërkaq, Kryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (SR KEK), Rafet Osmani ka thënë për Telegrafin se kanë marr konfirmim nga Bordi i KEK-ut për rritjen e pagave për të gjithë punëtoret e kësaj korporate.

Sipas tij, për këtë e kanë ndalë grevën e paralajmëruar më parë.

“Në kemi marrë konfirmim për ngritjen e pagave pas protestës me gjithë punëtorët e KEK-ut dhe gjithashtu na është dërguar edhe vendimi i bordit për ngritjen e pagave kjo ka qenë edhe arsyeja që ne kemi ndal grevën e paralajmëruar dhe na mbetet ta presim pagën e marsit që merret në mes të muajit prill”, tha Osmani, shkruan Telegrafi.

Punëtorët e KEK-ut janë të kënaqur me rritjen e pagave, e cila do të jetë në shumë prej 100 eurosh.

“Jemi marrë vesh se ngritja e pagave do të ndodhë për të gjithë punëtorët e KEK-ut në mënyrë lineare nga 100 euro. Si sindikatë jemi të kënaqur bazuar në situatën aktuale në kompani pasi që kemi pasur edhe shpronësimet e zonës 52 hektarësh në Hade dhe Shipitull dhe kjo i ka kushtuar KEK-ut afër 30 milionë euro, gjithashtu kërkesa jonë ka qënë për ngritjen e pagave nga 100 euro në mënyrë lineare”, ka thënë për Telegrafin kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut (SR KEK), Rafet Osmani./RTK/