Nëse Pacolli pranon post qeveritar, vendin e tij të deputetit do ta zë Imet Rrahmani

E publikuar: 05/09/2017 15:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca Kosova e Re do t’i ketë pesë ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit të parë.

Nëse kryetari i kësaj partie, Behgjet Pacolli, merr ndonjë pozitë qeveritare, atëherë ai duhet ta lë postin e deputetit. Njëjtë është edhe për deputetët tjerë që lënë pozitën e deputetit për pozita tjera qeveritare.

Nëse Pacolli merr pozitën e zëvendëskryeministrit apo edhe të ministrit të Punëve të Jashtme, ashtu siç edhe është përfolur nëpër media, atëherë vendin e tij do ta zë deputeti tjetër i cili është në listë të pritjes, raporton KP.

Por, vendin e Pacollit nuk do të mund ta zë ndonjë kandidat i AKR-së pasi që kjo parti në zgjedhje ka garuar bashkë me LDK-në dhe Alternativën në një listë të përbashkët zgjedhore.

Në vend të Pacollit i pari që është në listën e pritjes është Imet Rrahmani nga LDK-ja.

Rrahmani, ministër në detyrë i Shëndetësisë, ka marr 7272 vota dhe, ndonëse fillimisht u konfirmuar si deputet i zgjedhur, pas ankesës së bërë nga Naser Osmani, si pasojë e parregullsive gjatë numërimit të votave, Rrahmani u zëvendësua nga Osmani.