Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil

E publikuar: 26/05/2025 14:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Blerim Camaj, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional për përpunimin e të dhënave personale.

Kjo marrëveshje ka për qëllim të forcojë sigurinë, konfidencialitetin dhe integritetin e mbrojtjes së të dhënave personale përmes ndërlidhjes së sistemeve të përbashkëta.

Bashkëpunimi mes dy institucioneve gjithashtu do të përmirësojë cilësinë e shënimeve, do të mundësojë shkëmbimin e të dhënave në mënyrë të sigurt dhe do të koordinojë bashkërendimin në parandalimin e keqpërdorimeve dhe shkeljeve të të dhënave personale, respektivisht në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, dhe Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Regjistrimit Civil, z. Blerim Camaj, vlerësuan se kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe mundëson një bashkëpunim të ngushtë dhe të qëndrueshëm në fushën e përpunimit të të dhënave personale.