Në përkujtim të Shqiponja Isufit

E publikuar: 29/09/2022 18:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Shqiponja Isufi

Nga Gjiltina Isufi

Na le të gjithëve në errësirë, për t’iu bashkuar parajsës përgjithmonë, Shqiponja jonë!

Më 25 shtator 2022, u shua përjetësisht ylli më i ndritur i familjes Isufi. Bashkë me të, u shuan edhe zemrat e gjithë familjes dhe shoqërisë që patën fatin ta kenë pranë e ta kenë pjesë të jetës plot 41 vite. 41 vite janë pak, por këto vite të Shqiponjës sollën arritje të cilat vështirë mund të arrihen në një jetë shekulli.

Shqiponja u lind në mesin e flakëve të vitit 1981, në një familje atdhedashëse, të përndjekur politik, të cilët u detyruan ta lënë vendlindjen për të vazhduar jetën dhe veprimtarinë e tyre në Zvicër. Duke qenë 9 vite larg babait të saj, Qamilit, fëmijëria e saj nuk ishte aspak e lehtë. Këtë më së miri e tregon vetë ajo në një intervistë të vitit 2020 për gazetën zvicrane ‘Businesstag – Das Wirtschaftsforum für Frauen’, duke thënë se ”mungesa e prindërve në këtë moshë të re lë gjurmë që thjeshtë nuk mund të fshihen”. Pavarësisht rrethanave të vështira të Kosovës së okupuar, Shqiponja dhe familja e ngushtë i bashkohen babait në Zvicër, duke nisur kështu një rrugëtim të ri jetësor.

Të flasësh për karrierën dhe arritjet profesionale të Shqiponjës, nuk mjaftojnë këta rreshta, e as mijëra rreshta të tjerë. Sukseset e jashtëzakonshme e përcollën Shqiponjën qysh nga shkollimi i hershëm. Sa i përket rrugëtimit të saj universitar, Shqiponja mbaroi studimet me nderime të larta (magna cum laude) në Universitetin e Cyrihut (UZH) në drejtimin e administrimit të bizneseve me fokus në auditim. Në vitin 2010, Shqiponja merr titullin Doktor Shkence me nderimet më të larta (summa cum laude) në Universitetin e Cyrihut. Gjatë studimeve, Shqiponja fillon edhe angazhimin e saj si asistente në fushën e hulumtimit në universitetin e njëjtë. Arritjet e saj nuk ndalen, ku karriera i merr kthesë tjetër duke filluar detyrën si udhëheqëse në Audit Training and Audit Committee Institute në kompaninë KPMG, e njohur si një nga firmat më të suksesshme të auditimit në Zvicër. Në këtë periudhë, Shqiponja fillon detyrën si profesoreshë në Universitetin St. Gallen të Zvicrës, ku ligjëron në fushën e auditimit për nivelin bachelor si dhe asiston mbikqyrjen e studentëve të doktoratës. Më tutje, ajo arrin të marrë diplomë federale nga Shoqata e Ekspertëve të Kontabilitetit, Taksave dhe Fiduciarëve EXPERTSuisse. Që nga viti 2019, Shqiponja u emërua Partner në Grant Thornton, një ndër organizatat më të rëndësishme në botë në fushën e auditimit. Në krye të karrierës, Shqiponja ishte udhëheqëse e Industrisë, Shërbimeve dhe Institucioneve të Auditit në Zvicër/Head of the Service Line Audit Industry, Services and Institutions in Switzerland.

Një përmbledhje e shkurtër, për një jetë plot arritjesh. Kështu njihej Shqiponja, si në Kosovë ashtu edhe në Zvicër, për arritjen e majave më të larta të suksesit. Ndërkaq, për ata që e njohën nga afër, Shqiponja ishte vajzë e edukuar, e sjellshme, e arsyeshme, luftarake dhe e dashur për të gjithë. Nuk kishte si të ishte ndryshe, vajza e Qamilit dhe Kadrijës, motra e Dafinës dhe Kushtrimit, familje që njihet në Kosovë e në mërgatë për zemërgjerësinë dhe humanizmin e tyre në çdo kohë.

Shqiponjë, ti ishe modeli më i mirë i një gruaje për të gjithë familjen dhe shoqërinë. Ishe nënë e përkushtuar dhe bashkëshorte e denjë. Ti le shumë gjurmë mbrapa, por më së shumti le gjurmë në zemrat e familjes tënde. Ikja jote në moshë kaq të hershme është një humbje që nuk përshkruhet dot me fjalë e as me lot. Humbëm ne, humbi shoqëria, humbi mbarë populli shqiptar e zviceran.

Deri në frymën tonë të fundit, do të të duam e do të të kujtojmë, më e dashura, më e shtrenjta, Shqiponja jonë!

Familja Isufi