Ermal Haziri, një i ri nga Fushë Kosova, ditë më parë i shqetësuar vraponte nëpër korridoret e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ai po përpiqej të rregullonte dokumentet për daljen nga spitali të nënës së tij, Gynerës, e cila më 15 shkurt të këtij viti, si pasojë e rrëzimit nga lartësia ka pësuar frakturë të kafkës dhe gjakderdhje në tru.
Pas operimit, më shumë se një muaj ajo kishte qëndruar nën kujdesin intensiv e më pas edhe pesë ditë të tjera, kishte qëndruar në repartin e Neurokirurgjisë. Gynera, 52 vjeçe, i njeh anëtarët e familjes së saj, por ende nuk ka arritur që të komunikojë në mënyrë verbale me ta. Ajo me vështirësi i lëvizë gjymtyrët dhe për momentin nuk mund të ecë. Në fletë-lëshimin që i është dhënë, është udhëzuar për tretman rehabilitues, si dhe për konsultime me fiziatrin dhe logopedin.
Ermal Haziri, thotë se nënën e tij tashmë po e dërgon në shtëpi.
“Kam ardhur ta marrë nënën. E kanë lëshuar që ta dërgojmë në shtëpi. Këtu nuk mund të qëndrojë më gjatë, sepse po thonë se nuk kanë kushte. Na thanë që ta dërgojmë në shtëpi për rehabilitim, në mungesë të një qendre për rehabilitim në Kosovë për ata që kanë pësuar trauma të këtilla. Na thanë se ne duhet ta sigurojmë fizioterapinë dhe logopedin”, tha Ermali.
Ai shtoi se për daljen e nënës nga spitali i është dashur të sigurojë transport privat.
Kosova është ndër vendet e rralla në Evropë, e cila ende nuk ka qendër rehabilitimi për pacientët ose qendër për kujdesin paliativ.
Sot, për shkak të mungesës së një institucioni të tillë, pacientët nga Kosova janë të detyruar që mjekimin ta vazhdojnë në mënyrë private. Në rast se familja nuk ka mundësi financiare për diçka të tillë, mjekimi vazhdohet në shtëpi, me ndihmën e familjarëve.
Radio Evropa e Lirë