Sot iu dha lamtumira e fundit Amir Veliut, i cili vdiq në burgun e Dubravës, në moshën 32 vjeçe, në rrethana të pa sqaruara, pak ditë para se të lirohej.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi ka thënë se vdekja e këtij djaloshi duhet të zgjojë ndjenjën humane dhe përgjegjësinë tek institucionet e vendit, që sa më parë të del e vërteta në dritë lidhur me rastin.
“Drejtësi për Amirin”, ka shkryar Zymberi, duke lënë të kuptohej se vdekja e tij ishte e dyshimtë.
Ndërkaq, organet përgjegjëse nuk janë deklaruar ende në lidhje me rastin.
Zymberi ka thënë se Amiri ishte klient i Organit të Kujdestarisë për një kohë të gjatë, ngase ishte fëmijë i adoptuar, të cilit që në moshën 12 vjeçe i kishin vdekur edhe prindërit adoptues.
Pasi që nuk kishte kush të kujdesej për të, Amiri ishte marrë nën kujdes nga QPS-Organi i Kujdestarisë.
I ndjeri pas vete ka lënë një djalë të moshës 4 vjeç, i cili është nën kujdesin e Organit të Kujdestarisë në QPS Gjilan.
“Kërkova nga Ministrja Albulena Haxhiu që të hetohen të gjitha rrethanat e vdekjes së Amirit dhe ajo më premtoi se do të bëhen hetime të thella në këtë rast”, ka shkruar Zymberi.
Amir Veliu u varros sot në varrezat e qytetit në Gjilan./mediafokus.info