Ndeshja Shqipëri-Çeki, gazetari Ben Andoni: Kurtit nuk iu bë vend për të ulur afër Ramës në Zonën VIP

E publikuar: 14/10/2023 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari dhe analisti i njohur shqiptar në një shkrim për raportet Kosovë -Shqipëri ka komentuar edhe pamjet në tribunat e stadiumit Qemal Stafa ku Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeministri Edi Rama u panë të ndarë duke e shikuar ndeshjen.

Sipas Andonit, “protokolli sportiv i FSHF-së për Tribunën VIP dhe servilizmi institucional nuk e mundësuan që kryeministri Kurti të ulej përbri Ramës!!!”.

Lexoni të plotë shkrimin e Andonit të publikuar në Gazetën Tema të Tiranës.

Për të mbarëvajtur dialogun Kosovë-Serbi; për të menaxhuar përplasjet në Kosovë; kur Serbia ‘e tepron’; kur Beogradi qesëndis dhe përdor një diskurs me shumë ekuivoke janë gjithnjë kancelaritë ndërkombëtare që ndërhynë. Ambasadorit amerikan Hill në Beograd i është dashur të debatojë, brenda tagrit diplomatik, dhe me një përfaqësues të lartë të vendit të tij, duke i shpjeguar qëndrimet e tij institucionale dhe private, që gjithnjë janë në hullitë e detyruara. Për Kosovën flitet sistematikisht në periudha kohore në Këshillin e Sigurimit, ndërkohë që një administratë e tërë e huaj dhe një sërë emisarësh merren me të. Dhe, ngjarjet e fundit të Banjskës dhe të gjithë ato që kanë rrjedhur paskëtaj, tashmë janë pjesë e ankimeve të vazhdueshme të Kosovës, të një hetimi që mëton se do të bëhet dhe në Serbi (pak paradoks sepse qasja serbe i sheh si heronj njerëzit dhe viktimat mes tyre të 24 Shtatorit) e mbi të gjitha e një reagimi jo të vogël ndërkombëtar për Serbinë. E megjithatë, ai vrull i parë është fashitur, masat e besuara nga BE-ja se do të vinin për Serbinë kërkojnë përgjigjet e një raporti hetimi që duket se do marrë kohë, kurse të gjithë flasin për dialog. Madje, edhe Tirana, zyrtare i është bashkuar të tjerëve, me pothuaj të njëjtin regjistër, pas asaj ‘ndarje’ të parë me BE-në sa i përket problematikës së Kosovës.

Për fatin e keq të saj, Kosova ka dalë realisht nga axhendat këto ditë prej luftës në Gaza. Mbase problematika e Kosovës me Serbinë do të shpaloset në Samitin e Tiranës, por me atë axhendë aq të pasur, të dy palët do t’u duhet të përfshihen në ato që mund të përfitojnë nga ky samit i parë në një vend jashtë BE-së. Nga një logjikë e thjeshtë, kuptohet se nuk do të shfrytëzohen hapësirat e pakta të kohës në Samit për Tiranën dhe Kosovën, që t’i fashisin problematikat e tyre. Të paktën, ndeshja e fundit e përfaqësueses, mund të ishte një moment i mirë. Por protokolli sportiv i FSHF-së për Tribunën VIP dhe servilizmi institucional nuk e mundësuan që kryeministri Kurti të ulej përbri Ramës!!! Një gjë të tillë, Rama e Basha e bënë disa vite më parë, kur lanë në një aktivitet kulturor, një karrige në mes të ndarë, thjesht të dukeshin si të ndarë, paçka se në fakt pak vite më pas do të bënin flirte, që i kushtojnë edhe sot politikës shqiptare.

Ndërkohë që Ramës i duhet të kufizojë fjalimet e tij kilometrike (si i fundit për Kosovën) në një parlament, që tashmë është bjerrur cilësisht dhe moralisht prej betejave boshe dhe ndarjes qesharake të opozitës. Vetëm se shfrytëzimi i Kosovës nga të dy palët e politikës shqiptare është deri gati banal. Ashtu si në vetë Kosovë, u ndanë deri për gjëra dytësore, siç ishin shtesat për policët.

Kosova dhe Shqipëria duket se e kanë tensionin mes veti, jo se Kurti me Ramën nuk po merren vesh për gjërat thelbësore, porse nuk po shikojnë se çfarë e kërcënon rajonin në të ardhmen. E kur Rama (megjithëse ka njëfarë të drejtë për Veriun), përdor atë fjali, në Kosovë merren me kryeministrin shqiptar dhe po bëjnë një ndarje, për të cilën serbët nuk u duhet të harxhojnë shumë energji, që të na ndajnë.

Këtë e shton jashtëzakonisht konfuzioni në Kosovë. Ish-kryetari i LDK-së dhe ish-kryeministri Mustafa i kërkon Qeverisë Kurti gatishmëri për dialog, e madje alarmon se Serbia mund ta përdorë skenarin e Hamasit me fjalinë se “tragjedi e ngjashme i troket në derë edhe Kosovës”; kolegë të tij i japin fund Zajednicës; dikush e kërkon atë me garanci amerikane; të tjerë merren me Kurtin; ky i fundit i qesëndis për zgjedhjet; një pjesë tjetër kërkon megjithatë zgjedhje…

Aman, të gjitha bashkë nuk e shpjegojnë se pse Tirana dhe Prishtina politike janë kaq të ndara dhe nuk bashkëpunojnë, paçka se kërkohet përfshirja e Shqipërisë dhe ndihma e saj, ashtu si nga ana tjetër kërkohet vëmendja e Prishtinës, por që në fakt tashmë është gjithnjë e më e vogël. Por, gjithsesi, Kurti duket se është maturuar disi në politikë. Duke folur për marrëdhëniet me Shqipërinë, ka thënë së fundi se:”Shumë është bërë. Edhe më shumë duhet bërë”, shkruan në një postim të fundit Kurti. Pa precizuar se çfarë duhet bërë që të mos ndihemi gjithnjë e më shumë si dy vende kaq të ndryshme, paçka kombit të njëjtë.