Nagavci: LVV kërkon dy kandidatë unifikues për president, për të shmangur zgjedhjet e reja

E publikuar: 27/04/2026 17:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në prag të nisjes së seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë thirrje për arritjen e një konsensusi politik mes partive parlamentare.
Nagavci theksoi se Kuvendi duhet të jetë vendi ku zhvillohen debate dhe merren vendime të rëndësishme për vendin. Ajo nënvizoi se LVV, si subjekt fitues i zgjedhjeve, ka ndërmarrë hapa konkretë për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të cilat sipas saj janë të panevojshme dhe nuk do të sillnin rezultat të ri për qytetarët.

Sipas saj, pas takimeve të vazhdueshme të kryeministrit Albin Kurti me drejtuesit e partive të tjera, LVV ka ofruar një zgjidhje kompromisi: tërheqjen e dy kandidaturave të veta në këmbim të propozimit të tre emrave nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Ajo sqaroi se kjo kërkesë synon përfshirjen e deputetëve të të gjitha partive në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke mundësuar një kandidat unifikues.

Nagavci bëri të ditur se deri më tani nuk ka pranuar asnjë nënshkrim, por shtoi se ato janë gati dhe se LVV është e gatshme të mblidhet dhe të votojë menjëherë sapo të ketë propozime konkrete për dy emra nga LDK dhe PDK.

“Ju bëj thirrje edhe tani, por edhe pas seancës, që në momentin kur kemi propozime për dy emra, ne mblidhemi dhe votojmë”, deklaroi ajo.