Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka përsëritur se tema për çështjen e presidentit të vendit është e përmbyllur dhe se për partinë e tij ftesa për seancë të jashtëzakonshme është joserioze.
Sipas tij, një veprim i tillë ka qëllim manipulimin dhe se nuk prodhon rezultat.
Ai ka thënë se i vetmi fajtor pse vendi mund të shkojë në zgjedhje është Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Para pak çastesh e pranuam edhe një ftesë për seancë të Kuvendit të kosovës, me një pikë të vetme, zgjidhjen e presidentit të vendit. Është një veprim joserioz. Ka për qëllim manipulimin, një veprim që nuk prodhon rezultat. Një veprim që vendi po shkon në zgjedhje dhe përgjergjës është Kurti.”, ka thënë Hamza.
Ai ka përsëritur gatishmërinë e tij për të ofruar zgjidhje, duke përmendur takimet me Kurtin, por sipas tij, kreu i ekzekutivit nuk ka ofruar asnjë zgjidhje për këtë çështje.
Ndërkohë, sa i përket emrit të Vjosa Osmanit, Hamza ka thënë se LDK-ja dhe VV-ja kanë numra të mjaftueshëm për ta zgjedhur atë, nëse ajo propozohet për presidente.
Gjithashtu, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka bërë të ditur se as ata nuk do të jenë pjesë e seancës për zgjedhjen e Presidentit.
Ai u shpreh se diskutimet për këtë çështje kanë qenë vetëm një spektakël politik, përcjell Klankosova.tv.
“Diskutimet për zgjedhjen e Presidentit kanë qenë një spektakël politik, me një qëllim të vetëm, me ardhë në këtë situatë. Ne ende nuk kemi asnjë emër, përveç emrave të cilët i ka propozuar VV-ja dhe që janë zyrtar të VV-së dhe nuk janë konsensual”, tha ai.
Tahiri gjithashtu tha se ky duket si një diskutim për të folur vet me vete dhe tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve.
“AAK-ja s’ka qenë e ftuar në këto diskutime, nuk kemi marrë pjesë, rrjedhimisht ne nuk marrim pjesë në një diskutim që prapë është një performancë publike, kësaj radhe siç po shihet do të jetë një performancë publike, një diskutim me fol vet me vete”.
“Kjo seancë është edhe një vazhdim i një spektakli publik, politik që po e çon vendin në zgjedhje. Ne nuk marrim pjesë në këtë, nuk kemi marrë pjesë as atëherë dhe e shohim këtë veprim vetëm një seancë për të folur vet me vete, me kolegë të partisë së vet”, tha ai.
Improvizime dhe tentativ për t’u tallur me qytetarët po e konsideron shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, seancën e sotme për të diskutuar për presidentit.
Lushaku, para mediave tha se kjo qasje e LVV-së vetëm sa e thellon krizën.
Ajo tha se nuk do të marrin pjesë në seancë, derisa shtoi se 15 deputetët e LDK-së kanë votë për secilin propozim të tyre.
Gjatë kohës sa ajo fliste në hollin e Kuvendit, deputeti i LVV-së, Agim Bahtiri i kërkoi 15 nënshkrime për propozimin e LDK-së.

















