Kryeministri Isa Mustafa thotë se askush nuk ka të drejtë të pengojë procesin e liberalizimit të vizave për një çështje e cila mund të përmirësohet në momentin që të verifikohet e kundërta. Kjo mund të merret edhe si përgjigje ndaj kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj i cili tha se kushti i BE-së që për liberalizim të vizave duhet të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, nuk do të ndodh.
Haradinaj ka qenë i ashpër, duke thënë se nuk do të lejojnë ratifikimin në Kuvend dhe se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi “do të ngulen keq”.
Mustafa këtu foli për partitë opozitare dhe disa deputetë të LDK-së, parti që ai udhëheq, dhe të cilët thonë se nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.
“Mendoj se edhe deputetët edhe qytetarët dhe ne si njerëz që kemi përgjegjësi të veçantë në vend duhet të kemi parasysh në rënd të parë interesat e shtetit, duhet të kemi parasysh partneritetin ndërkombëtar të cilin e kemi ndërtuar dhe duhet asaj t’i nënshtrohemi në pikëpamje edhe profesionale edhe në pikëpamje politike sepse çdo njeri prej nesh ndoshta llogarit që kalon te qytetarët ose te opinioni në qoftë se thotë se unë nuk e votoj këtë sepse mendon që fiton një përkrahje, mirëpo ne në këtë rast humbim shumë sepse humbim shansen tonë që të liberalizohen vizat dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm që ekonomia jonë të ketë një ambient krejtësisht tjetër të zhvillimit edhe që integrimi jonë në Bashkimin Evropian të ecë rrugës të cilën ne e kemi hapur dhe unë mendoj se askush nuk ka të drejtë që të pengojë në këtë proces kur të gjitha dyert mbesin hapur për çdo pretendim nesër që mund të argumentojnë shkencëtarët tanë, profesionistët tanë, gjeografët tanë, hartografët tanë do të thotë që rruga mbetet që ajo çdo moment mund të verifikohet dhe mund të përmirësohet”, tha Mustafa.

















