Kosova vazhdon të mos ofrojë shërbime shëndetësore në nivel të duhur për fëmijët. Një gjendje e tillë konstatohet nga vet personeli mjekësor.
Në Qendrën Klinike Universitare, e cila mbetet e vetmja qendër terciare referente për tërë Kosovën, pediatri Ramush Beiqi thotë se gjendja aty nuk është e mirë në shumë aspekte, derisa sipas tij, as nuk vërehet ndonjë lëvizje pozitive në këtë drejtim.
“Unë pajtohem se trajtimi nuk është adekuat as në nivelin terciar. Por unë mendoj se duhet koncentruar në mungesën e profesionalizmit, siç ka nevojë klinika e pediatrisë, e gjithashtu edhe mungesa e pajisjeve”.
“Unë në vendin e parë e kisha futur mungesën e profesionistëve në nivel terciar. Pastaj mungesën e aparaturave, bashkëpunimin mjek – profesionistë në qendrat diagnostike dhe në fund medikamentet. Operacionet e zemrës tek fëmijët nuk bëhen që 16 vjet , nuk ka asnjë lëvizje pozitive. Nuk ka profesionalizëm në këtë fushë”, ka thënë Beiqi.
Ndryshe, edhe Raporti i Progresit për vitin 2015 ka vlerësuar se nuk është bërë progres në të drejtën për kujdes shëndetësor jashtë vendit, shërbimet farmaceutike, shëndetin mendor, parandalimin e abuzimit me droga, pabarazitë në shëndetësi dhe diagnostikimin e sëmundjes së kancerit.Një të njëjtën kohë, shërbimet shëndetësore për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara mbesin të pa mjaftueshme
Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka reaguar përmes dokumenteve zyrtare, ku konsideron që investimet e ulëta në sektorin e shëndetësisë pengojnë zbatimin e legjislacionit, duke rrezikuar shëndetin e fëmijëve. Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e kësaj organizate, jep hollësi të tjera.
“Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë mbesin ndër më të ulëtat në rajon. Për vitin 2016, rreth njëmbëdhjetë për qind ebuxhetit total të Republikës së Kosovës është ndarë për sistemin shëndetësor. Shpenzimet nga xhepi i qytetarëve vazhdojnë të pengojnë qasjen në kujdesin shëndetësor, me theks grupet e rrezikuara. Kjo, edhe si pasojë e mos zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.”
“KOMF shpreh shqetësimin për vonesat në furnizimin me barna të listës esenciale në QKUK, sidomos për mungesën e barnave në Klinikën e Pediatrisë, Pediatrisë Intensive dhe Repartin e Hematologjisë, ku mungesa e barnave të nevojshme për fëmijët mund të sjellë pasoja të mëdha për shëndetin e tyre madje dhe vdekjeprurëse për fëmijët”, thotë Kelmendi.
Shpjegimi nga zyrtarët politik në Ministrinë e Shëndetësisë është se sistemi shëndetësor ofron shërbime shëndetësore për gjithë popullatën ,e në veçanti për fëmijët. Kështu ka thënë Valbon Krasniqi , këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, duke dhënë edhe shpjegime të tjera.
“Ne e dimë që shërbimet nuk janë në nivelin më të kënaqshëm të duhur, por fëmijëve u kushtohet një rëndësi e veçantë. Si në raport me prioritetin me sigurimin e barnave, po ashtu edhe me mbulimin e shpenzimeve për sëmundje të caktuara, që nuk mund të ofrohen në vend.”
“Për shembull; gjithë fëmijëve deri në moshën 18 vjeçare Ministria e Shëndetësisë ju mbulon shpenzimet 100 për qind. Po ashtu fëmijët janë të liruar nga pagesat për shërbime shëndetësore. Nëse flasim për cilësinë , lë shumë për të dëshiruara, por me kapacitetet që kemi, i kushtojmë rëndësi të veçantë”, thotë Krasniqi.
Ndryshe, e drejta e fëmijës për trajtim shëndetësor të duhur dhe të dinjitetshëm garantohet me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Shëndetësi, transmeton rel.
KOMF thotë se i kupton kufizimet buxhetore në buxhetin e Republikës së Kosovës, por një të njëjtën kohë bën me dije që të drejtat e fëmijëve në sistemin shëndetësor po cenohen rëndë në Kosovë.