Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka thënë se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë nuk kanë kryer krime, por kanë kryer detyrën më të lartë që njeh historia – çlirimin e Kosovës.
Ai para mijëra të pranishmëve në protestën gjithëkombëtare në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë, nënvizoi nevojën e ngritjes së zërit kundër padrejtësive që po bëhen nga Specialja.
Moisiu: Ish-krerët e UÇK-së nuk kanë kryer krime
“Jemi këtu për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe kombit shqiptar – luftëtarëve të UÇK-së që luftuan për lirinë e atdheut. Në vitin 2022, bashkë me presidentët Rexhep Meidani, Bamir Topi, Behgjet Pacolli dhe ish-kryeministrin Pandeli Majko, ishim në Hagë për t’u takuar personalisht me presidentin Thaçi, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Në bisedë me këta burra kuptova dhe pashë se ata trima nuk ishin frikësuar, por burra të fortë që qëndronin të qetë dhe të gatshëm për t’u sakrifikuar, për të pastruar luftën e UÇK-së dhe gjithë popullin kosovar nga njollat që padrejtësisht po përpiqen t’ia japin ata që nuk ia duan të mirën shqiptarëve. Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore – çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet”, tha ai.
Krahas kësaj, ai theksoi se ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë janë burgosur pa prova dhe me akuza të fabrikuara në qarqet e errëta serbo-ruse.
Moisiu: Ish-krerët e UÇK-së janë burgosur me akuza të fabrikuara në qarqet e errëta serbo-ruse
“Besoj se drejtësia do të bëjë detyrën e saj. Ata janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qarqet e errëta serbo-ruse. Dua të theksoj një fakt: lufta e UÇK-së u mbështet fuqishëm nga NATO dhe SHBA-ja, si dhe nga partnerët e rëndësishëm perëndimorë… Këto janë dëshmi të qarta se ata nuk ishin kriminelë, por komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të ligjshme për mbrojtjen e popullit të tyre”, potencoi Moisiu.


















