Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se protestat e opozitës në Shqipëri do të vijojnë pa ndërprerje deri në rrëzimin e qeverisë dhe siç tha, ndryshimin e regjimit.
Ai, një bashkëbisedim me qytetarët, u shpreh se forma e protestës së opozitës është një kryengritje paqësore, e cila sipas tij përfaqëson zgjedhjen politike të Partisë Demokratike.
“Nuk na dikton njeri taktikën tonë. Kryengritja paqësore është zgjedhja jonë. Vija e kuqe është protesta deri në rrëzimin e Edi Ramës”, deklaroi Berisha, raporton ATSH, përcjellë KosovaPress.
Ai theksoi se protestat, pavarësisht vështirësive, janë të domosdoshme për të mbajtur gjallë opozitarizmin në vend.
“Protesta e Partisë Demokratike është zëri i qytetarëve që guxojnë të dalin në rrugë për çështje që prekin çdo qytetar të ndershëm”, u shpreh kryetari i PD-së.
Berisha akuzoi qeverinë se, sipas tij, ka krijuar një sistem ku opozita përballet me presion institucional dhe politik, duke përmendur edhe arrestime të figurave opozitare në periudha zgjedhore.
“Në asnjë vend normal nuk arrestohen liderë të opozitës në vit elektoral si persona nën hetim. Qëllimi është i qartë: manipulimi i zgjedhjeve”, deklaroi ai.
















