Mirante – nga problemet në zemër, deri në Ligën e Kampionëve

E publikuar: 13/02/2019 05:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Antonio Mirante e ka regjistruar paraqitjen e dytë në Ligën e Kampionëve në ndeshjen ndërmjet Romës dhe Portos. Mirëpo, dy vite më parë, portieri italian ishte në prag të pensionimit për shkak të problemeve me zemër.

Të martën mbrëma, Giallorossët zhvilluan ndeshjen e parë të të tetës së finales kundër skuadrës portugeze, ndërsa trajneri Eusebio Di Francesco e inkuadroi nga minuta e parë gardianin 35 vjeçar.

Për shkak të problemeve me një lëndim në muskulin e pasmë të kërcirit, Robin Olsen nuk ishte aftësuar si duhej, prandaj qëndroi në bankën rezervë.

Mirante u transferua te Roma në verën e vitit të kaluar nga Bologna për katër milionë euro. Ai debutoi në Ligën e Kampionëve në muajin dhjetor në humbjen ndaj Viktoria Plzenit (2-1). Dy ndeshjet tjera në të cilat është inkuadruar këtë sezon janë humbja nga Udinese (1-0) dhe fitorja ndaj Chievos (3-0).

Në ndeshjet parasezonale 2016/2017, ai ishte diagnostikuar me një problem në zemër dhe iu desh të bënte ekzaminime të tjera mjekësore, ashtu që u detyrua të pushonte deri nëntor të vitit 2016.

Asokohe pritej që portieri të pensionohej nga futbolli për shkak të problemit shëndetësore, mirëpo pas pushimit disa mujor, testet treguan se problemi ishte shëruar dhe ai mund të luante sërish.

Antonio Mirante si lojtar i Bolognas (Foto: Mario Carlini / Iguana Press/Getty Images/Guliver)

35-vjeçari iu kthye futbollit më 29 nëntor 2016, ndërsa në edicionin 2017/2018 ishte kapiten i Bolognas, në sezonin e tij të fundit me këtë klub.

Ai u transferua te Roma më 22 qershor 2018 (për katër milionë euro) dhe nënshkroi kontratë trevjeçare, ndërsa në drejtim të kundër shkoi Lukasz Skorupski (për nëntë milionë euro).

Tashmë, kur problemet shëndetësore i takojnë të kaluarës, krahas Serie A, Mirante e ka shijuar edhe garën më të madhe evropiane për klube. /Telegrafi/