Ministri Reçica harron mashtrimet me “veteranët” e luftës, flet me krenari për kujdesin ndaj tyre

E publikuar: 05/03/2018 15:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka harruar mashtrimet që janë bërë me listat e veteranëve të UÇK-së, dhe flet me krenari për kujdesin ndaj kësaj kategorie të dalë nga lufta e fundit.

“Në nderim e detyrim ndaj dalzotësve të kombit e atdheut, ne si Dikaster i Punës dhe Mirëqenies Sociale, asnjëherë nuk do të ndalemi që t’u dalim në krah shtresave të dala nga lufta. Ata janë krenaria jonë, ata janë detyrimi ynë! Nderim të përjetshëm dhe kujdes në pafundësi për veteranët, e gjithë shtresat e dala nga lufta!”, ka shkruar ministri Reçica, duke kujtuar Epopenë e UÇK-së.

Ndonëse statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet ta gëzojnë mbi 46 mijë qytetarë të Kosovës, listat e publikuara për këta veteranë tanimë janë objekt trajtimi i Prokurorisë së Shtetit. Kush me meritë dhe kush pa meritë një numër i madh i qytetarëve do të futen në skemën pensionale për përfitimin e veteranit të UÇK-së.

Ndërkaq, fillimi i hetimeve për keqpërdorimin e mundshëm të këtyre listave ka ardhur pas publikimit të tyre nga ana e Qeverisë, ku është parë një numër enorm i personave të të cilëve do t’u njihet statusi i veteranit të UÇK-së.

Organi i ndjekjes në Kosovë, Prokuroria e Shtetit, ka bërë të ditur se prokurorët janë duke e bërë grumbullimin e informatave në lidhje me keqpërdorimin eventual të listave të veteranëve të UÇK-së./Insajderi.com