Ministri Bajrami ngushëllon familjen Stipçeviq

E publikuar: 01/09/2015 11:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Stipçeviq pas ndarjes nga jeta të kolosit të ilirologjisë, akademik Aleksandër Stipçeviq.

“Bota akademike humbi arkeologun, bibliografistin, bibliotekistin, eseistin, albanologun, por edhe mësimdhënësin e shumë gjeneratave. Ndërsa, qytetarët e Kosovës, por edhe të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, humbën njeriun që më së miri solli te ne frymëmarrjen ilire. Me veprën e tij, akademiku Stipçeviq ka bërë vend meritor në historinë botërore. Ndërsa, ne do ta kujtojmë gjithmonë edhe si mikun më të madh, që me pendën e tij, me veprimtarinë shkencore, u bë roje e historisë tonë kombëtare. Ju lutem që në emër të Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë dhe në emër timin, t’i pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Akademiku, ilirologu i njohur me përmasa botërore, arbëreshi nga Arbanasi Aleksandër Stipçeviq, ka ndërruar jetë dje në Zagreb, në moshën 85 vjeçare.

Arkeologu, bibliografi, bibliotekisti, eseisti, albanologu, u lind në Arbnesh të Zarës, më 10 tetor 1930.