Shëndetësia kosovare prej vitesh përballet me mungesë buxheti. Edhe për vitin 2017 buxheti i planifikuar për shëndetësinë në Kosovë nuk parasheh ngritje. Ky buxhet ka mbetur i njëjtë me atë të vitit të kaluar, që kap vlerën prej rreth 180 milionë eurosh.
Por, në sistemin shëndetësor çdo vit hyjnë miliona euro si donacione. Megjithatë, institucionet publike shëndetësore vazhdojnë të përballen me mungesë të madhe të pajisjeve të nevojshme për shërbime kualitative, mungesë barnash e materialit shpenzues.
Në rubrikën e përjavshme ‘’Fokus’’të Radios Evropa e Lirë do të sjellim hollësi lidhur me atë se cila është shuma e donacioneve që hyn për shëndetësinë kosovare, dhe kush janë disa nga donatorët.
Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ka pasur një zhvillim të mirë në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të mbështetjes së donatorëve, që ka rezultuar me fillim dhe zhvillim të projekteve të ndryshme në fushën e shëndetësisë, përfshirë këtu investimet në ngritjen e kapaciteteve institucionale, atyre humane, furnizime me barna, pajisje mjekësore dhe ngritje të infrastrukturës shëndetësore.
Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, jep hollësi rreth donatorëve dhe shumën që ata kanë ndarë për shëndetësinë kosovare.
“Kemi mbështetje nga Qeveria e Luksemburgut me projektin KSV 017 që mbështet zhvillimin e reformës shëndetësore në vlerë prej 6 milionë eurove, projekti me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) për Kujdesin Shëndetësor Parësor të qasshëm në vlerë prej 7 milionë frangash zvicerane, fillimi i projektit të Agjencisë qeveritare turke TIKA, për mjekimin e ri intensiv në QKUK, që ka filluar dhe do të kushtojë 2 milionë euro, si dhe renovimi komplet i Spitalit të Përgjithshëm të Vushtrrisë ‘Sheikh Zyed’ nga Emiratet e Bashkuara Arabe,në vlerë prej 7 milionë eurove që tashmë ka përfunduar”, shpjegon Hoti
Përvec këtyre donacioneve, Hoti përmend edhe projekte të tjera që do të fillojnë ose janë në vazhdim të punës së tyre në ndihmë për shëndetësinë kosovare:
“Projekti që pritet të nisë për ndërtimin e spitalit kirurgjik pediatrik në QKUK, në vlerë prej 22 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara Arabe”.
Rina Limani, koordinatore për donacione në nivel të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, thotë se kanë qenë dhjetëra miliona euro, që ky institucion ka pranuar vetëm për vitin 2016.
“Për vitin 2016, QKUK-ja ka pranuar rreth 16 milionë euro, dhe nga kjo, vlera më e madhe është në formë të barnave dhe materialit shpenzues. Vlera financiare janë raportuar nga donatorë, ku thuhet se janë rreth 8 milionë euro në formë të barnave”.
“Gjithashtu, kemi edhe programin për eficiencë e mbështetur nga Bashkimi Evropian , renovimin e Klinikës së Kirurgjisë dhe Interne në QKUK me 1 milion euro. QKUK-ja pranon vazhdimisht donacione, si nga vendi ashtu edhe nga ato ndërkombëtare. Është edhe ‘Care for Kosova Kids’ e që vazhdimisht na mbështesin me barna për trajtimin e kancerit për fëmijë”, bën të ditur Limani.
Ndonëse miliona euro donacione, disa klinika brenda Qendrës Klinike Universitare, institucion ky si qendër referente terciare për tërë territorin e Kosovës, vazhdojnë të përballen me mungesa të shumë gjërave të nevojshme për trajtim të pacientëve.
Kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani, njëherësh ortoped, ka thënë disa herë se në Klinikën Ortopedike të QKUK-së, pacientët që kanë nevojë për operacione të ndryshme, këto shërbime duhet t’i marrin jashtë institucioneve publike shëndetësore, pikërisht për shkak të mungesës së materialit të nevojshëm për operim.
“Janë tejet të nevojshme donacionet e huaja. Nuk ka investime të duhura nga Ministria e Shëndetësisë. Neve në Ortopedi na mungojnë shumë gjëra. Impiantet i blejnë vetë pacientët. Tashmë ne kemi ekipin e kirurgjisë spinale, por nuk mund të bëjmë operacione, për shkak të mungesës së impianteve”, ka thënë Selmani.
Por, në klinika të caktuara, vërehet dukshëm ndihma e donatorëve. Këtë e thotë udhëheqësja e Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Mynavere Hoxha. Ajo thotë se ndër të tjera prej kur marrin si donacion një ampulë të quajtur Surfaktant (e që shërben për përshpejtimin e pjekjes së mushkërive të foshnjave të lindura para kohe), ndër vite ka rënë shumë vdekshmëria e foshnjave.
Sipas saj, nga 31 promil sa ka qenë në vitin 2006, ose nga 1000 foshnje të lindura kanë vdekur 31 prej tyre, në vitin 2016, kjo shifër ka rënë në 12 promil.
“Klinika e Neonatologjisë ka pasur donacione vazhdimisht, por gjithmonë ka nevojë për edhe më shumë, pasi këtu trajtohen fëmijët nga e gjithë Kosova që janë me rrezik të lartë nga vdekshmëria. Vlen të përmendet një ampulë e quajtur Surfactant, e që e kemi siguruar edhe për këtë vit”, thotë Hoxha.
Por, për kryetarin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, jo të gjitha donacionet kanë ndihmuar sistemin shëndetësor.
“Ka pasur donacione shumë milionëshe, por unë mendoj se jo çdo donacion e ndihmon shëndetësinë. Diçka në praktikë nuk shihet dhe mendoj se jo të gjitha donacionet duhet të pranohen. Rasti konkret është spitali i Vushtrrisë që ka qenë donacion, por aty po kanë probleme me staf dhe është bërë problem për shëndetësinë kosovare . Mendoj se donacionet duhet kontrollohen nga shumë palë”, konsideron Syla.
E, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë duke punuar që të krijohet një ambient i përshtatshëm për investimet e huaja. Sipas tyre, tashmë për shëndetësinë kosovare ka edhe investitorë afatgjatë, që kanë derdhur miliona euro për këtë sektor, transmeton rel.
Ata thonë se këto donacione kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimeve për nëna dhe fëmijë dhe kategoritë e tjera të qytetarëve, kanë ndikuar që infrastruktura e institucioneve përfituese të jetë shumë më e mirë sesa që ka qenë më parë. Ndërkohë, edhe përkrahja për ngritjen e kapaciteteve nëpërmjet financimit të programeve të ndryshme nga donatorët, do të ndihmojë që sistemi shëndetësor kosovar, në shumë segmente të tij, të jetë i krahasueshëm me rajonin, e në disa fusha edhe më mirë.