Mijëra qytetarë kanë vërshuar palestrën “13 Qershori” në Suharekë në mbylljen e fushatës elektorale për Zgjedhjet Lokale 2017.
Shpalosja e programit të Bali Muharremajt u shtri në pikat kryesore, duke potencuar atë që është me interes më të madh, punësimin. Ai u betua para Suharekës që do ta plotësojë premtimin të cilin i ftoi të gjithë ta mbajnë në xhep dhe t’i kërkojnë llogari pas katër vjetësh.
Muharremaj tha se qëllimi i tij kryesor është ta zhvillojë Suharekën në të gjitha sferat, duke i vënë në rregull edhe ato që tashmë nuk janë nën kontrollë.
“Betohem para jush e para Zotit që do të punojë drejtë. Këtë herë do të fitojnë qytetarët e Therandës dhe të të gjitha fshatrave”, ka thënë Muharremaj.
Ai u pasua nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se kanë marrë udhëheqjen e vendit dhe duhet që suharekasit të votojnë për udhëheqjen e Bali Muharremajt në Suharekë.
“Merrni të drejtën në dorën tuaj dhe ta marrim punën bashkë e ta zhvillojmë vendin. Bali Muharremaj është I përgjegjshëm dhe punëtorë. Ka me bo lum Theranda. S’ka me ju nda rrugës së drejtë dhe s’ka me ju nda juve”, tha Haradinaj.
E ish-kryetari Blerim Kuçi u ka thënë qytetarëve të pranishëm që nëse duan zhvillim ekonomik, dinamizëm në komunë dhe drejtësi, atëherë duhet ta votojnë Bali Muharremajn.




















