Mihajlovic nuk kërkon justifikime: Derbi duhet fituar

E publikuar: 12/09/2015 14:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sinisa Mihajlovic përcjell optimizëm në shtëpinë e Milanit vetëm pak orë përpara derbit të Milanos. Në konferencën për shtyp në vigjilie të kësaj sfide trajneri i kuqezinjëve theksoi se skuadra që ai drejton e ka potencialin për të mposhtur Interin, por mund ta bëjë dicka tillë vetëm nëse shfaqet në lartësinë e duhur në fushën e lojës duke paralajmëruar në një farë mënyre zikaltërit.

“Për ne nuk ka më justifikime. Duhet të luajmë ashtu sic e kemi përgatitur ndeshjen dhe të bëjmë detyrën. Si futbollist asnjëherë nuk kam fituar një ndeshje derbi, ndërkohë që si trajner nuk kam humbur asnjëherë, shpresoj që të ruhet kjo tendencë edhe pas sfidës së kësaj të Diele. Interi ka fituar dy ndeshjet e para të sezonit në minutat e fundit, por derbi është gjithmonë një tjetër ndeshje, asnjë prej dy skuadrave për momentin nuk po shfaq futbollin e saj më të mirë. Të dyja ekipet kanë ndryshuar shumë, por ne nga ana jonë duhet të mendojmë sikur të mos kemi më kohë për t’i rregulluar gjërat. Jam i sigurtë se nëse luajmë me më shumë kurajo mund ti bëjmë gjërat mirë në derbi dhe të zhvillojmë një kampionat pozitiv. Mancini thotë që Milani është favorit? Si një mik i tiji që jam unë do të bëj gjithcka që Robertos t’i dalë parashikimi”.

Por sa e rëndësishme do të ishte një fitore përballë Interit për Milanin, në këndvështrimin e Sinisa Mihajlovic?

“Do të jetë një ndeshje që vlen vetëm tre pikë. Për momentin kjo është sfida më e rëndësishme për ne por pas 6 ditësh do të jetë ndaj Palermos. Një ndeshje derbi përgatitet si të gjitha takimet e tjera me shumë qetësi. Do të ishte shumë bukur nëse fitojmë si dhe dicka shumë e keqe nëse humbasim. Gjithsesi në fund të fundit është vetëm një ndeshje futbolli e vlefshme për javën e tretë të kampionatit. Nëse fitojmë do të barazojmë në kuotën e 6 pikëve Interin por deri në fund do të mbeten për tu luajtur edhe 35 ndeshje”.

Mihajlovic nënvizoi gjithashtu se gjatë këtyre dy javëve u ka bërë thirrje futbollistëve të tij të mos shfaqin në fushë të njëjtin nivel loje si në takimin ndaj Empolit, pasi me të tilla paraqitje nuk mund të ecet përpara.